300 milionë lekë është vlera e biletave të avionit, për të fluturuar në vende të ndryshme të botës me paratë e shqiptarëve, të drejtuesve të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). 240 milionë lekë OST i ka shpenzuar për pritje dhe përcjellje, ndërsa mbi 800 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve i ka shpenzuar për riparimin e makinave.
Vetëm gjatë vitit 2019, me paratë e shqiptarëve, drejtorët e OST kanë shëtitur me avion duke fluturuar nga Tirana në Romë, Budapest, Këln, Athinë, Paris, Bruksel, Ljubjanë, Dublin, Berlin, Bukuresht, Sevilje, Vjenë, Antalia, Madrid, Varshavë, Mynih, Beograd etj.
Se ç’punë kanë pasur dhe për ç’farë interesi publik kanë shkuar përfaqësuesit e OST në gjithë këto vende brenda një viti, këtë mund të na e thonë vetëm Edi Rama, Ilir Beqja, Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku.
Pas këtyre shpenzimeve fshihet ish-drejtori i LSI-së, Engjëll Zeqo, njeri i besuar i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Por, shpenzimet e pajustifikuara janë shijuar më pas nga drejtori i Edi Ramës, Klodian Gradeci, i cili drejtoi OST deri në janar të vitit 2020. Gradeci u emëruar në krye të OST në shtator të 2017, pasi Rama përzuri Metën dhe Monikën nga qeverisja. Vetë Gradeci u përfshi në një skandal tjetër të madh korruptiv pasi i dha 12 milionë euro nga paratë e shqiptarëve një kompanie fantazmë të Bashkim Ulajt, për ndërtimin e linjës së tensionit Burrel-Peshkopi. Tenderin ia dha një kompanie të quajtur ‘DH Albania’, e cila në letra përfaqësohej nga një çunak, sot i zhdukur, pas zbulimit të skandalit. Por, pas çunakut fshihej oligarku Bashkim Ulaj. Kjo kompani mori edhe nga Damian Gjiknuri 18 milionë euro për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re.
Klodian Gradeci, pas dorëheqjes u zëvendësua nga Skerdi Drenova.
Sot të gjithë janë të lirë, si Engjëll Zeqo, Klodian Gradeci, Damian Gjiknuri dhe Bashkim Ulaj, ndërsa çunaku i tij, Avdjol Dobi, është zhdukur. Megjithatë, këto shpenzime abuzive dhe afera korruptive janë vetëm një pikë në detin e korrupsionit në Shqipëri.
Pavarësisht këtij realiteti të zi, asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për korrupsion vitet e fundit. Madje, në raportet e Adriatik Llallës, Arta Markut dhe së fundi Olsion Çelës thuhet se korrupsioni është ulur.
Në të njëjtën kohë, janë fshehur prej vitesh edhe emrat e pushtetarëve të cilët janë denoncuar për fshehje të pasurive, të krijuara me paratë e korrupsionit./Pamfleti