Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar një raport statistikor për veprimtarin e tij që nga periudha shkurt 2018 deri në muajin dhjetor 2019. Në të dhënat e raportuara bëhet me dije se gjatë kësaj periudhe janë shkarkuar nga detyra 50 gjyqtarë, 31 prokurorë dhe 2 ndihmës ligjorë ose kandidatë për magjistratë. Ndërkaq janë konfirmuar në detyrë 39 gjyqtarë, 46 prokurorë dhe 9 ndihmës ligjorë ose kandidatë për magjistratë.
Po ashtu, nga statistikat e publikuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëhet me dije se sipas raporteve të ILDKPKI-së për 178 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 119 subjekte rivlerësimi dhe me probleme 59 prej tyre, ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë rezultate të tjera, ku kanë rezultuar 80 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 98 subjekte me probleme. Nga raportet e DSIK-së për 152 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 32 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 21 prej tyre.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 31 dhjetor 2019 ka dhënë 221 vendime. 94 vendime për konfirmimin në detyrë të 39 gjyqtarëve, 46 prokurorëve dhe 9 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 83 vendime për shkarkimin nga detyra të 50 gjyqtarëve, 31 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 19 vendime për ndërprerjen e procesit të 13 gjyqtarëve, 5 prokurorëve dhe 1 ish-ndihmës ligjor; 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë; 16 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve; 1 vendim për pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare”, thuhet në raportin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.