Thellohen përplasjet mes Shqipërisë dhe Iranit, pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Ministria e Jashtme iraniane ka reaguar ditën e djeshme dhe ka sulmuar qeverinë shqiptare. Kjo është hera e parë që Irani ka reaguar që pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Ishte zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, ai i cili bëri një deklaratë në lidhje më këtë çështje. Ai ka deklaruar se Shqipëria ka bërë disa gabime, por duhet të kthehet në rrugën e duhur, pasi rruga aktuale nuk është konstruktive.
“Shqipëria ka bërë disa gabime duke dëbuar diplomatët iranianë dhe ne ndiejmë se ngjarjet në rajonin tonë kanë krijuar disa keqkuptime për Shqipërinë. Ne rekomandojmë që ata të mos lidhin marrëdhëniet tona të mira me një vend të tretë. Shqipëria duhet të kthehet në rrugën e duhur dhe rruga e tyre e tanishme nuk është konstruktive”, ka deklaruar në rrjetet sociale zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Statusi i ministrit është publikuar nga gazetari iranian Hossein Ghazanfari, i cili citon fjalët e Seyyed Abbas Mousavi për Shqipërinë. Kujtojmë se javën e kaluar Shqipëria vendosi të largonte dy diplomatët iranianë nga vendi, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast. Sakaq “Zëri Amerikës” tha se këta dy diplomatë kishin qenë bashkëpunëtorë të gjeneralit të vrarë iranian Qassem Suleimani. Vendi ynë është pozicionuar në krahë të SHBA-ve sa i përket konfliktit me Iranin, por zyrtari iranian ka thënë se Shqipëria ka keqkuptuar zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe nuk duhet ti lidhë lidhjet e mira të Iranit me një vend të tretë.
Reagon senatori amerikan
Senatori amerikan Marco Rubio ka reaguar ditën e djeshme sa i takon çështjes së konfliktit mes Iranit she Shqipërisë, konflikt i cili u thellua edhe më tej pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë nga qeveria shqiptare. Rubio është shprehur se dy diplomatët e dëbuar nga qeveria shqiptare nuk ishin thjesht spiunë, por ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me gjeneralin e vrarë iranian Qassem Soleimani. Me anë të një reagimi në rrjetin social, Rubio shkroi se dëbimi i tyre nga Shqipëria shtoi më shumë prova në punën e Soleimani në ndërtimin e një rrjeti global terrorizmi. “Më shumë prova të rrjetit global të terrorizmit, Shqipëria ka urdhëruar që dy diplomat të largohen sepse ato paraqesin një kërcënim serioz. Raportet thonë se nuk është thjesht sepse ata ishin spiunë. Ata ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me Soleimani”, ka deklaruar senatori amerikan.
Shqipëria, në rrezik nga sulmet terroriste dhe kibernetike
Pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë, kanë reaguar edhe ekspertët, të cilët e shohin të mundshëm një rrezik nga ana e Iranit, sa i takon sigurisë në Shqipëri. Ministri në detyrë për Punët e Jashtme Gent Cakaj, bëri me dije me anë të një postimi në Facebook, largimin e dy diplomatëve.
“Ata u larguan për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi Cakaj. DW i ka kushtuar një artikull konfliktit mes Iranit dhe Shqipërisë. Ajo ka risjellë në vëmendje një ngjarje të ndodhur një vit më parë, ku qeveria shqiptare vendosi të largonte ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër me akuzën për “dëmtimin e sigurisë kombëtarë”. “Vendimi u përshëndet edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH). Por prania e muxhahedinëve disidentë është bërë shkak për acarim të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë. Ajo ka sjellë së fundi edhe përfshirjen indirekte të Shqipërisë në konfliktin mes SHBA dhe Iranit”, kujton DW./SOT/ARBJONA ÇIBUKU