Presidenti Ilir Meta ka mposhtur mazhorancën qeverisëse edhe në betejën për çështjen e betimeve në Gjykatën Kushtetuese. Të hënën Partia Socialiste vulosi tërheqjen nga shkarkimi i presidentit Meta nga detyra, ndërsa ditën e djeshme i bëri një tjetër dhuratë kreut të shtetit, pasi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të betohen para tij.
Pas përplasjeve mes Kuvendit dhe Presidencës për Marsida Xhaferllarin, socialistët propozuan ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilit synonin dërgimin e betimit me shkrim nëse presidenti Ilir Meta nuk organizon ceremoninë e betimit brenda një afati kohor 10 ditor për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.
Por ky vendim i mazhorancës nuk u mirëprit nga presidenti Ilir Meta, i cili organizoi një protestë kundër qeverisë në 2 mars, ndërsa paralajmëroi se do të mësynte në Parlament nëse do t’i hiqej kompetenca sa i takon betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Madje, Meta e firmos në shesh dhe e ktheu për rishqyrtim ligjin në fjalë, ndërsa mazhoranca iu drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion më të qartë.
Mirëpo ditën e djeshme PS u tërhoq nga ligji për mekanizmin zhbllokues në betimin e gjyqtarëve kushtetues, që kishte miratuar më herët. Komisioni i Ligjeve pranoi dekretin e presidentit Meta që e ktheu për rishqyrtim këtë nismë ligjore, me arsyetimin se cenonte kompetencat e tij kushtetuese.
Në emër të socialistëve, relatorja Klotilda Ferhati tha se mazhoranca nuk tërhiqej nga nisma, por kishte vendosur të pranonte këshillën e Komisionit të Venecias, që sugjeronte vendosjen e mekanizmit zhbllokues në Kushtetutë. “Komisioni i Venecias nuk është kundër parashikimit të mekanizmave zhbllokues në rastin e ceremonive të betimit, por sugjeron që për sa kohë kompetenca formale e betimit është e parashikuar në Kushtetutë, përpara institucionit të Presidentit, edhe mekanizmi zhbllokues të vendoset në nivelin kushtetues”, deklaroi Bushka. Megjithatë, kjo lëvizje tregoi qartë që shumica socialiste është inferiore ndaj kreut të shtetit, pasi dihet që është shumë e vështirë që të bëhen ndryshime kushtetuese vetëm për këtë çështje.
Meta forcon pozitat
Por tërheqja e mazhorancës qeverisëse nga nisma për të “izoluar” presidentin Ilir Meta, në mënyrë që t’i hiqte atij të drejtën për të bllokuar reformën në drejtësi, duket se ka favorizuar vetë kreun e shtetit. Ky i fundit prej tre vitesh i ka shpallur luftë reformës në drejtësi, ndërkohë që zhvillimet e kohëve të fundit po çojnë ujin pikërisht tek mulliri i tij.
Presidenti Meta duket se po korr frytin e fitoreve të njëpasnjëshme ndaj mazhorancës. Kështu pas shkarkimit të Ardian Dvoranit dhe vendosjen e Vitore Tushës në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e Gjykatës Kushtetuese, apo dhe kapjes së KLSH, dje Meta ka fituar një tjetër betejë përballë mazhorancës, pasi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të betohen para tij, pavarësisht se Partia Socialiste kërkonte që t’ia hiqte atij këtë kompetencë përmes ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve.
Pra, të gjitha këto tregojnë që presidenti Meta ka marrë në dorë mjaft institucione. KED tashmë i shërben presidentit, ndërsa po ashtu dhe KLSH ka në krye një person të propozuar po nga presidenti. Pra faktet tregojnë se Meta doli më i fituar nga beteja me PS, jo vetëm që nuk u shkarkua, por tashmë ka rol të madh mbi KED, KLSH dhe mbi Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë sinjalet janë se do të ketë dorë edhe mbi emërimet në Gjykatën e Lartë./Rigels Seliman