Mijëra qytetarë përdorin çdo ditë transportin publik, si domosdoshmëri për të lëvizur brenda qytetit apo dhe për në punë, në pamundësi për të blerë makinë, motor apo edhe biçikletë, që do të ishin zgjidhja më e mirë në kohë pandemie. Deri dje lëvizja me urban ishte sfidë më vete, si mungesë e informacionit dhe sinjalistikës nëpër stacione, orareve që nuk respektohen, mbipopullimi, apo edhe kushteve më bazike, e cila nuk ka ndryshuar aspak edhe sot që raportojmë.
Por, transporti publik, rrezikon të përballet me një sfidë tjetër, që padyshim do e ketë të humbur nëse nuk respekton protokollin e masave anti-covid. Shumë shpejt, autobuzët mund të kthehen në vatrat e reja të infeksionit, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve që e përdorin atë.
Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është mbipopullimi dhe moszbatimi i rregullave të shkruara të hartuara për të mbrojtur qytetarët që e përdorin transportin urban. Makutëria e pronarëve të operatorëve privat të të transportit publik për të fituar para në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe mungesa e kontrollit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor apo dhe Bashkisë së Tiranës, ka sjell frikë dhe panik tek udhëtarët që përdorin këtë shërbim.
Disa denoncime të qytetarëve, që kanë ardhur në redaksinë e ekskluzive.al, faktojnë se si operatorët e transportit publik abuzojnë me protokollin e rregullave të vendosura për përballimin e situatës së pandemisë por dhe ushtrimin e funksionit të tyre brenda kushteve të përcaktuara nga inspektoriati.
Një qytetar i shqetësuar, denoncon me anë të disa fotove një linjë të këtij transporti, ku shprehet se është tejet i frikësuar sa herë që udhëton me urban, pasi autobuzi nuk njeh sens mase të pranimit të udhëtarëve, të cilët edhe pse janë me maska, nuk ruajnë asnjë distancë sigurie ndaj njëri tjetrit, duke e kthyer të pamundur mbrojtien ndaj infektimit edhe pse përdorin mjetet parandaluese. Në një grumbullim masiv dhe distanca të afërta, maska nuk kryen asnjë funksion, sidomos nëse e ke përdorur atë më shumë se 4-8 orë (sikurse do faktohet në shkrimin e radhës për sigurinë e maskave).
I gjithë ky kaos lindi pas nënshkrimit të marrëveshjes së operatorëve të transportit publik me Bashkinë e Tiranës, për rinisjen e aktivitetit të tyre, edhe pse u cilësua mjaft i rrezikshëm nëse nuk respektohen masat e hartuara nga Ministria e Shëndetësisë. Madje Bashkia Tiranë, mendoi t’i bënte ballë dhe rrezikut, që operatorët publik mos të merrnin kurrfarë përgjegjësie për ndonjë të “papritur”. Thelbi i marrëveshjes bashki-operator privat, qëndron në faktin se për zbatimin e protokollit të posaçëm kundër “Covid-19” nuk do ngarkohen shoqëritë e transportit urban, por përgjegjësia do jetë individuale.
Shqetësuese është dhe fakti se përveç mbipopullimit, shumë pika të tjera të protokollit nuk zbatohen, ndër to vendosja e posterave sinjalizues apo dhe dezifektantëve. Por si gjithmonë qytetarët nuk kanë ku të ankohen, pasi numri pa pagesë 0800 0888 i Bashkisë së Tiranës, i cili është i detyrueshëm të afishohet brenda çdo mjeti të transportit publik nuk ekziston në asnjë mjet. Të gjithë numrat e tjerë për tu ankuar janë të operatorëve privat, ku ankesa e qytetarëve bie në vesh të shurdhët.
I gjithë shqetësimi i ngritur nga ekskluzive.al, ka për qëllim ndërgjegjësimin e autoriteteve përgjegjëse për mos humbjen e vigjilencës ndaj “armikut të padukshëm”, në një kohë që e gjithë sakrifica e bërë deri më sot nga të gjithë ne mos të shkoj dëm. Qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë më fjalë të bukra nga askush, por kanë nevojë që shëndeti i tyre, jeta e tyre dhe familjarëve të tyre, të jetë e mbrojtur sipas rregullave të parashikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila përcakton qartë se vendet e grumbullimit masiv janë burim vatër infeksionesh dhe maskat nuk mund të të mbrojnë dot për aq gjatë nëse nuk ndrrohet në 4-8 orë./Ekskluzive.al
Denoncimi me foto dhe video të qytetarëve, që kanë ardhur në adresë të gazetës kundër operatorëve të transportit publik: