Byroja Kombëtare e Hetimit javën që vjen nis punën. Pas disa muajsh përpjekje si nga institucionet vendase ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, 28 persona do të marrin postin e hetuesit dhe do të ndihmojnë prokurorët e SPAK për të luftuar krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
Nga rreth 600 emra që shfaqën interes një vit më parë, vetëm 28 kanë përmbushur të gjitha kriteret, ndërsa vijon puna për përzgjedhjen e 32 të tjerëve, duke e çuar në 60 numrin final. Dje ishte SPAK që njoftoi se 28 emrat e fundit kanë përfunduar me sukses procesin e trajnimit bazë, ndërsa tani do të nisë një fazë e dytë trajnimi të udhëhequr nga përfaqësues të SHBA dhe FBI.
Po ashtu asistencë kanë dhënë edhe italianët, në fushën e antimafies. “SPAK dëshiron të urojë 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së. Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës. Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë:
“Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI). SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Reagon ambasada e SHBA
Mbi emërimin e 28 hetuesve të Byrosë Hetimore ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë. Ajo e ka bërë të qartë se reforma në drejtësi do të vijojë të ecë përpara. “Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së! Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar.
Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne u urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, tha ambasada amerikane. Vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim në disa deklarata e ka bërë të qartë se janë të shumtë ata që nuk e duan reformën në drejtësi dhe duan ta pengojnë.
Fakti që BKH nis punë është një sinjal për të gjithë kritikët dhe armiqtë e reformës. “Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur, por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë.
Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, prokuroria e posaçme, SPAK, janë si ndonjë film aksion. Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem”, tha ambasadorja Yuri Kim pak kohë më parë.