Bledar Dërvishaj është një nga kandidatët që synon karrigen e Avokatit të Popullit.
Dërvishaj ka qenë këshilltari ligjor në Presidencë, gjatë kohës që institucioni drejtohej nga Ilir Meta.
Sot Dërvishaj është shfaqur në krah të Metës, duke hyrë në SPAK.
Kandidati për Avokat Populli, që del në publik si krah i djathtë i Ilir Metës, po tenton të politizojë një institucion të pavarur që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo Ilir Metës.
Zyra e avokatit të popullit, nuk mund të vihet në shërbim të Ilir Metës, dhe dosjeve që ai ka në SPAK.
Kriteret për Avokatin e Popullit, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, janë të qarta.
Një ndër nenet e këtij Ligji është se Avokati i Popullit ndalohet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale dhe të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.
Neni 2
Detyrat e Avokatit të Popullit: Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj.
Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo, rezidentë të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, azilkërkuesve si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të parashikuara në ligj.
Avokati i Popullit kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligje të veçanta.
Neni 3
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.
Neni 10
Papajtueshmëritë me funksionin e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit ndalohet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale dhe të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.