Goli i Raul Jimenez kundër Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ishte shumë më tepër sesa thjesht një gol. Ishte kulmi i një historie të jashtëzakonshme mbijetese, sakrifice dhe rikthimi.
Në fitoren 2-0 të Meksikës, sulmuesi 35-vjeçar vulosi suksesin e skuadrës së tij me golin e dytë të mbrëmjes së 11 qershorit, duke u bërë një nga protagonistët e startit të Kampionatit Botëror.
Por vetëm pak vite më parë, askush nuk ishte i sigurt nëse ai do të luante sërish futboll.
Nga lufta për jetën te rikthimi në fushë
Në nëntor të vitit 2020, gjatë një ndeshjeje të Premier League mes Wolves dhe Arsenalit, Jimenez pësoi një nga dëmtimet më të rënda që ka parë futbolli modern.
Një përplasje e fortë me David Luiz i shkaktoi frakturë të kafkës dhe gjakderdhje në tru. Sulmuesi meksikan humbi ndjenjat në fushë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni jetik.
Mjekët më vonë i treguan se kishte qenë shumë pranë tragjedisë. “Më thanë se ishte një mrekulli që isha ende këtu”, kujtonte ai vite më vonë.
Shumë specialistë dyshonin se karriera e tij kishte marrë fund. Por Jimenez nuk u dorëzua. Pas nëntë muajsh rehabilitim të gjatë dhe të vështirë, ai u rikthye në fushën e lojës, duke sfiduar çdo parashikim.





