Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung i ka kushtuar një artikull biznesmenit shqiptar Samir Mane, rrugëtimit të tij të gjatë nga jeta si emigrant e deri te ngritja e kompanive të suksesshme me vlerë miliona dollarëshe.
FAZ shkruan se Mane ka arritur të ngrejë një perandori biznesesh me vlerë të përllogaritur nga Forbes në rreth 1.9 miliardë dollarë dhe që punësojnë mbi 5.000 njerëz duke operuar në 13 vende të Evropës dhe Amerikës së Veriut.
“Ky sukses tashmë pasqyrohet edhe në listën e famshme të miliarderëve të publikuar nga revista amerikane Forbes. Vitin e kaluar, revista e përfshiu atë në rrethin e saj elitar – duke u bërë shqiptari i parë dhe, deri më sot, i vetmi që e ka arritur këtë. Në renditjen aktuale, revista e biznesit e vlerëson pasurinë neto të Manes në 1,9 miliardë dollarë, duke e renditur atë në vendin e 2.254-të në listën e njerëzve më të pasur në botë. Perandoria e biznesit të Manes duket kështu: Kompanitë brenda grupit të tij, *Balfin Group*, punësojnë mbi 5.000 njerëz dhe operojnë në 13 vende të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Në vitin 2025, fitimi i grupit (EBITDA e konsoliduar) arriti në një vëllim prej 163 milionë eurosh”, shkruan gazeta gjermane.
Një ndër sukseset e para të Manes është “Rolling Hills” një kompleks i mbyllur përbëhet nga 153 vila të vendosura përgjatë rrugëve të mirëmbajtura me përpikëri të cilat u shitën në kohë rekord dhe sot banohen nga vendas të pasur, shqiptarë të kthyer nga emigracioni, punonjës të huaj të kompanive të mëdha dhe diplomatë.
Tirana East Gate është jo shumë larg këtij kompleksi luksoz. Një qendër tregtare moderne e hapur në vitin 2011 dhe që sot strehon plot 180 biznese.
“Distanca nga hyrja e kompleksit “Rolling Hills” deri te qendra tregtare “Tirana East Gate” (TEG) është mezi dy kilometra. Me një sipërfaqe tregtare prej rreth 100,000 metrash katrorë, ajo është qendra më e madhe tregtare dhe e argëtimit në Shqipëri. Qendra TEG, e cila u hap në vitin 2011, u planifikua dhe u ndërtua gjithashtu nga grupi “Balfin” me një kosto prej mbi 100 milionë eurosh. Ajo strehon 180 dyqane – përfshirë zinxhirë ndërkombëtarë të modës, artikujve sportivë, këpucëve, bizhuterive dhe produkteve farmaceutike/kozmetike – si dhe restorante, kafene, kinemanë “Cineplex”, një pistë boëlingu dhe një pistë patinazhi në akull. Një objekt i tillë mund të gjendej lehtësisht në çdo metropol perëndimor. Dhe pikërisht ky është sekreti i suksesit të sipërmarrësit Samir Mane”, shkruan FAZ.
Gazeta gjermane rrëfen sesi biznesmeni me originë nga Korça vendosi të emigronte në Austri, pas rënies së regjimit komunist. Aty do të vijonte studimet si dhe do të hidhte hapat e parë përmes tregtisë së elektroshtëpiakeve.
“Mane lindi më 24 dhjetor 1967 në Korçë, ku u rrit në kushte modeste dhe kreu arsimin e mesëm. Në atë kohë, Shqipëria – e quajtur shpesh “vendi më i varfër i Evropës” – ishte ende fort nën sundimin e diktatorit paranojak Enver Hoxha, i cili e izoloi plotësisht kombin ballkanik nga bota e jashtme dhe e mbajti popullsinë prej rreth dy milionë banorësh nën një sistem të “komunizmit të Epokës së Gurit”.
Manes iu lejua të ndiqte studimet e larta në Universitetin e Tiranës. “Nuk e zgjodha vetë degën e gjeologjisë; në atë kohë, ajo ishte diçka që ta caktonin zyrtarët e Partisë.” Një sipërmarrje fillestare gjatë kohës së universitetit u ndërpre që në fillesë: studenti i ri donte të fitonte pak para shtesë duke u shitur qofte të gatuara vetë studentëve të tjerë. Natyrisht, kjo ishte e ndaluar.
Kur regjimi komunist në Shqipëri më në fund filloi të shembej, Mane vendosi të emigronte në Austri. Pas një udhëtimi 36-orësh me autobus, ai mbërriti në Vjenë në vitin 1991. Ai u regjistrua si refugjat në Austri dhe kaloi gjashtë muaj në një qendër pritjeje, ku mësoi vetë gjermanishten dhe më pas arriti të regjistrohej në Universitetin Teknik të Vjenës për të vazhduar studimet në gjeologji. Ai punonte gjithashtu si përkthyes krahas aktiviteteve të tjera”, shkruan gazeta gjermane.
Suksesi i qendrave të tij tregtare dhe të argëtimit konfirmoi bindjen e Manes se një sipërmarrës nuk ka gjithmonë nevojë ta shpikë rrotën nga e para. Ai shfrytëzoi përvojën e tij si sipërmarrës në Austri dhe solli menaxherë me përvojë nga vende të tjera të BE-së për t’iu bashkuar ekipit drejtues. Qëllimi: të plotësonte një kërkesë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor që sapo kishte filluar të shfaqej.
Jashtë vëmendjes së artikullit nuk mbeten as bizneset e tjera të suksesshme, pjesë e “Balfin Group”, si Neptun, Qendra Tregtare Univers dhe resorti luksoz në bregdet, Green Coast.
“Sot, Grupi Balfin operon në nëntë sektorë kryesorë, duke përfshirë 40 kompani të tijat, si dhe degë të korporatave ndërkombëtare. Shitja me pakicë dhe pasuritë e paluajtshme përbëjnë bazën, duke zënë përkatësisht rreth 60 për qind dhe 20 për qind të operacioneve. Sektorët e tjerë përfshijnë turizmin, menaxhimin e aseteve dhe sektorin bankar, logjistikën, energjinë dhe minierat, arsimin dhe argëtimin.
Mane është veçanërisht i apasionuar pas megaprojektit “Green Coast” në Rivierën Shqiptare, në jug të Vlorës. Ky vendndodhje strehon resortin e parë luksoz të Shqipërisë – që përfshin vila, apartamente dhe hotele me pesë yje, krahas qendrave tregtare, zonave të dyqaneve dhe restoranteve cilësore. Investimi total në këtë zonë prej rreth 200 hektarësh, e cila gëzon një vijë bregdetare prej 1,5 kilometrash, pritet të kalojë një miliard euro. Mane sheh potencial të madh për zhvillimin e sektorit të turizmit luksoz në Shqipërinë e Jugut. Ai beson se të gjithë do të përfitonin nga investimet e planifikuara prej miliarda eurosh – siç është propozimi i diskutueshëm i dhëndrit të Trump, Jared Kushner, dhe partnerëve të tij arabë për të ndërtuar një mega-resort në Shqipëri”, thuhet në artikull.
Gazeta gjermane e mbyll shkrimin duke theksuar se Mane dhe grupi i tij Balfin po zgjerohen përtej Ballkanit Perëndimor.
“Mane dhe Balfin e kanë kaluar prej kohësh fazën e thjeshtë të “rikthimit” në Shqipëri; ata po nxisin zgjerimin përtej Ballkanit Perëndimor dhe po zhvillojnë projekte për banesa me çmime të përballueshme në SHBA dhe Kanada. Në axhendë është gjithashtu hyrja në tregun gjerman. Grupi Balfin planifikon ta realizojë këtë përmes blerjes së ndërtesës historike “Tietz” në sheshin Bahnhofsplatz të Mynihut – një pronë që për dekada të tëra strehoi degë të rrjeteve “Karstadt” dhe “Galeria Kaufhof”, përpara se të përfundonte në portofolin e aseteve të “Signa Group” – kompanisë së René Benko-s që falimentoi në vitin 2023.
Mane ka në plan edhe blerje të tjera të mundshme në Gjermani, ndonëse preferon të mos i bëjë ato publike. “Ne shqiptarët nuk gëzojmë reputacionin më të mirë te publiku gjerman,” thotë ai duke qeshur, teksa pranon se disa shqiptarë mbajnë njëfarë përgjegjësie për këtë perceptim. Sigurisht, ai nuk e përfshin veten në atë kategori”, përfundon FAZ.



