Vendet vakante në Parlament pritet që të plotësohen shumë shpejt. Kandidatët e Partisë Demokratike po shtohen nga dita në ditë, duke bërë që numri i tyre në Kuvend të jetë më i lartë se deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë mandatin e deputetit 3 kandidatëve të tjerë nga partia e Lulzim Bashës. Më konkretisht, mandatin e deputetit e ka marrë Kujtim Gjuzi kandidat për Qarkun Durrës, Koçi Tahiri për Qarkun Korçë dhe Indrit Hoxha për Qarkun Tiranë. 3 kandidatët që morën mandatin, pritet të betohen sot në seancën plenare. Po ashtu edhe dy emra të tjerë marrin sot mandatin e deputetit nga KQZ. Bëhet fjalë për Krenar Rryçi, i cili është nga radhët e PD për Qarkun Durrës dhe Kostaq Papa nga PD për Qarkun Tiranë.
Së bashku me këta, deri tani janë 119 deputetë në Kuvend, 79 nga shumica dhe 40 nga opozita, ku 14 janë nga radhët e LSI dhe 26 nga radhët e PD. Ndërkohë që duhen edhe 21 deputetë për të plotësuar numrin e deputetëve në 140, siç e parashikon Kushtetuta. Sipas ritmeve aktuale, numri i plotë pritet që të plotësohet shpejt. Me rrjedhjet nga listat shumemërore të PD-LSI në qarkun e Korçës, të Durrësit dhe të Kukësit, listat kanë shteruar.
Regjistrohet koalicioni i majtë
Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit me koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane. KQZ ka regjistruar ditën e djeshme këtë koalicion i cili është në përbërje nga 21 parti politike.
Partitë e koalicionit të majtë ASE janë: Partia Socialiste e Shqipërisë; Partia Socialdemokrate e Shqipërisë; Partia Demokracia Sociale; Partia Aleanca Demokratike; Partia Aleanca Arbnore Kombëtare; Partia Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane; Partia G 99; Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Partia Ardhmëria Shqiptare; Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet; Partia e Gjelbër; Partia Pajtimit Kombëtar; Partia Kristian Demokrate; Partia Reformave Demokratike Shqiptare; Partia e të Drejtave të Mohuara; Partia Unitetit Kombëtar; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare; Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve; Partia Socialiste e Moderuar; Partia Socialpunëtore Shqiptare; Partia Demokristiane e Shqipërisë. 20 parti të vogla kanë nënshkruar pak ditë më parë dokumentin e bashkëpunimit për të shkuar në zgjedhjet vendore në koalicion me mazhorancën.
Nga marrëveshja e Partisë Socialiste me aleatët e saj, janë të pasqyruara qartë parimet e këtij koalicioni dhe angazhimet e qeverisë. Ajo që bie në sy në këtë marrëveshje është se aleatët autorizojnë kreun e qeverisë Edi Rama që të zgjerojnë koalicionin pa pasur nevojë për miratimin me shkrim të partive aleate, e ndërsa bëhet e ditur se qëllimi i saj është maksimalizimi i rezultatit zgjedhor.
Gjithashtu, theksohet se dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. “Në bazë të marrëveshjes të gjitha votat e elektoratit të tyre, do të shkojnë në favor të kandidatit për kryetar bashkie të koalicionit dhe në favor të kandidatëve të secilës parti aleate për këshilltar bashkiak.
PS garanton aleatët se do të numërojë dhe ruaj me korrektësi çdo votë të partive aleate, dhe se pas fitores së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 është e gatshëm për të integruar në programe qeverisëse të kryetarëve të bashkive dhe këshillave përkatës çdo kontribut dhe projekt zhvillimi vendor që pasqyron vullnetin zgjedhor nga çdo subjekti pjesë e këtij koalicioni”, thuhet në dokumentin e marrëveshjes. Gjithashtu ne marrëveshje nënvizohet se: “Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritja e skenarëve të vitit 1996 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore por as nga komuniteti ndërkombëtar”.
Elisjeda Kiko