Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është rikthyer dje në detyrë, një ditë pasi presidenti i vendit Ilir Meta nuk dekretoi shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi i presidentit Ilir Meta është kritikuar fort nga mazhoranca. Ish ministrja e Arsimit,
Lindita Nikolla u shpreh se presidenti ka dalë nga roli i tij dhe po bën një opozitë të tretë, krahas Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë një interviste televizive, ajo deklaroi se Meta ka rikthyer një sërë ligjesh, duke e humbur në këtë mënyrë funksionin që ka. “Presidenti është kthyer në një opozitë të tretë tashmë prej shumë kohësh.
Nuk do të doja ta komentoja vendimin e tij, por kam rezervat e mia. Ai e ka humbur funksionin që duhet të kishte duke u kthyer në opozitën e tretë, duke kthyer shumë ligje, mes tyre edhe dekretin për të cilin po flasim”, u shpreh Lindita Nikolla. Ish ministrja e Arsimit tregoi gjithë konfliktin e ndodhur me Mynyr Konin dhe se si u arrit tek dita kur pasardhësja e saj Besa Shahini kërkoi shkarkimin e tij, duke e cilësuar këtë vendim si të drejtë.
Sipas Nikollës, shkarkimi i Konit u kërkua pasi u konstatuan një sërë shkeljesh që ai kishte kryer në krye të këtij institucioni. “Kam dijeni të plotë për konfliktin. Siç e dini ligji i Arsimit të Lartë krijon dy autoritete. Universiteti i Tiranës është i vetmi me mazhorancë në bordin e administrimit. Ne kemi ushtruar kontroll në rektorat edhe me kërkesë të senatit. Pasi gjetëm shkelje, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionin, të cilit i lamë disa detyra.
Situata e re, me vijimin e protestave por edhe me verifikimin e detyrave të lëna ka bërë që ministrja Shahinit t’i kërkojë Presidentit shkarkimin e tij. Në gjithë këtë komunikim, ndërveprim ajo që duhet të prevalojë është cilësia e re që duhet ofruar në programet e universitetit. Pra shkarkimi u kërkua pasi u vërtetuan raste kur kishte shkelur ligjin”, u shpreh ish ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.