Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka shpërthyer dje në akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta, mbi vendimin e tij për të mos shkarkuar nga detyra rektorin Mynyr Koni. Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, Shahini shprehet e zhgënjyer nga vendimi, i cili sipas saj është në dëm të interesit publik dhe në mbështetje të një shkelësi të ligjit.
Sipas saj, rikthimi i Konit në krye të detyrës dëmton gjithashtu edhe stafin pedagogjik dhe studentët. “Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni!
Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit! Në rastin konkret, vendimi i presidentit i bën dëm 26,000 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët për herë të parë pas disa vitesh në një ngërç absurd që e ka kthyer universitetin në shembullin e mosfunksionimit ligjor e demokratik, përjetuan një moment normaliteti ligjor dhe demokratik”, tha Shahini.
Argumentet në dekret
Ministrja e Arsimit u shpreh se presidenti Meta po mashtron me argumentet që ka shtuar për shkarkimin e rektorit. Shahini tha se arsyetimi që presidenti Meta përdor se pezullimi i rektorit nga ana e saj cenon autonominë universitare nuk qëndron për sa kohë ligji e lejon diçka të tillë.
“Presidenti i Republikës, në dekretin e tij shpjegon se vendimi im për pezullimin e rektorit cenon autonominë universitare. Po të ishte kështu, nuk do të më lejohej me Ligjin e Arsimit të Lartë të pezulloj rektorin në raste të shkeljeve të rënda ligjore, të cilat janë dokumentuar jo me një, por me dy raporte të grupeve të inspektimit në terren.
Autonomia universitare, patjetër do të thotë që vendimet për universitetin merren në mënyrë të pavarur dhe nuk influencohen nga institucionet e tjera! Por, autonomia kurrsesi nuk do të thotë që organet apo drejtuesit e universitetit kanë të drejtën të shkelin ligjin dhe të bllokojnë funksionimin e universitetit!
Për të parandaluar shkeljet e ligjit nga autoriteti më i lartë në universitet, që është rektori – është vendosur në ligj e drejta e pezullimit të rektorit nga ministri dhe e shkarkimit të tij nga Presidenti me kërkesë të ministrit”, tha ajo. Po ashtu ministrja e Arsimit i është kundërpërgjigjur presidentit, duke thënë se ka bërë disa përpjekje për tu takuar me kreun e shtetit, por kanë rezultuar pa sukses.
Shahini nxjerr blof Metën
Shahini deklaroi se presidenti Meta është konsultuar gjerësisht me ish ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, duke theksuar se vetë Meta ka kërkuar kohë që Mynyr Koni të reflektojë. “Presidenti nënvizon se nuk qenkam konsultuar me të përpara së të marr vendimin për pezullimin e rektorit. Unë kam bërë disa përpjekje për takim me Presidentin, por ato kanë rezultuar të pasuksesshme.
Megjithatë, duke marrë parasysh që paraardhësja ime kishte biseduar me Presidentin gjerësisht dhe jo vetëm e kishte informuar atë, madje edhe kishte dëgjuar këshillën e tij për t’i dhënë kohë Konit të reflektojë, unë vendosa të veproj. Sepse unë nuk e kam nisur punën nga zero dhe vazhdimësinë institucionale në çdo aspekt e kam konsideruar gjithnjë avantazh dhe domosdoshmëri.
Prandaj presidenti, çështjen e pezullimit të rektorit s’ka pse e sheh si çështje që duhet folur medoemos me çdo individ, por si çështje të diskutuar mes institucionit të Ministrit të Arsimit dhe atij të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, tha Shahini.
Elisjeda Kiko