Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të hedhë nesër hapin final për t’i dhënë vendit emrin e një kryeprokurori të ri. Mesditën e nesërme KLP do të mblidhet dhe do të diskutojë rreth kandidaturave që janë regjistruar për Prokuror të Përgjithshëm. Pas diskutimeve, anëtarët e KLP do t’iu hapin rrugën atyre që meritojnë të vazhdojnë garën më tutje, për të vijuar më pas me procesin e intervistave dhe me renditjen përfundimtare të garuesve.
KLP duhet të pikëzojë tre më të mirët dhe Parlamenti duhet të zgjedhë mes tyre. Në rast se deputetët dështojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur kryetarin e ri të Prokurorisë së Përgjithshme, atëherë automatikisht kryeprokuror quhet emri i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. “Dita/Data: E hёnё, 23.09.2019; Ora: 12:00; Kohëzgjatja:1 orë; Vendi: Salla e mbledhjeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Blvd. “Zogu i I”; Thirrur nga: Zv.Kryetari; Pjesëmarrësit: Anëtarët; Të ftuar: Përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS (EU Funded Project), OPDAT (Funded from the United States Department of Justice/ Assistance and Training and Technical Assistance Program), si dhe vëzhgues tё tjerë tё akredituar. Rendi i ditës: Miratimi i listёs sё kandidatëve, qё kanё shprehur interesin pёr pozicionin e Prokurorit tё Pёrgjithshёm, tё cilёt plotёsojnё kushtet ligjore pёr tё vazhduar mё tej garёn pas vlerёsimit paraprak”, thuhet në njoftimin e KLP. Interesant është fakti se KLP ka pritur deri tani për të bërë mbledhjen sepse akoma nuk kishin skaduar afatet e ankimimit për prokurorin Olsian Çela. Ky i fundit është edhe emri që përflitet si më pretendenti për t’u ulur në karrigen e kryeprokurorit.
Çela u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në datën 4 shtator iu zbardh vendimi. Komisioneri Publik pati 15 ditë afat për ankimim, por ky afat nuk u shfrytëzua, çka do të thotë se edhe Komisioneri me ONM ishin dakord me konfirmimin e tij në detyrë. Pas skadimit të afateve të ankimimit, për KLP nuk ka më asnjë pengesë që të zhvillojë mbledhje e të hedhë hapa të mëtejshëm për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Sapo të mbyllet puna për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet ta përqendrojë vëmendjen tek ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Gjatë kësaj kohe pritet që edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të ketë përparuar me procesin e vetingut për pesë kandidatët që kanë mbetur pa rivlerësuar si edhe të kenë skaduar afatet e ankimimit për ata kandidatë që janë konfirmuar në detyrë.
Gara për Prokurorin e Përgjithshëm u mbyll me vetëm katër kandidatë: Arta Marku, Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj. Olsian Çela është prokuror i Krimeve të Rënda, por më parë ka qenë edhe drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosja “Shullazi” e futi në sherr atë me kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku dhe me kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Çela ishte pjesë e prokurorëve që refuzuan hedhjen e shortit, dhe si masë ndëshkimi për të Arta Marku vendosi ta “internonte” në Berat. Por Çela e kundërshtoi vendimin e Markut në KLP. Mes debatesh, KLP vendosi që Olsian Çela të vijonte detyrën tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çela ka hetuar një sërë dosjesh të bujshme, si atë të Mirit të Xhikes, grabitjen e Rinasit, atë të “Xibrakës”, etj. Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj ka qenë në vitet 2008-2013 Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore në Presidencë, ndërsa për më pak se një vit ka qenë edhe shefe e kabinetit e Prokurorit të Përgjithshëm. Gjatë karrierës së saj, ajo njihet për dosje hetimore kundër korrupsionit, si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailajn dhe si prokurorja e Izet Haxhisë. Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku para se të zgjidhej në këtë detyrë ishte prokurore e Shkodrës. Emri surprizë i garuesve ishte ai i avokatit Alushaj. Avokati Alushaj ka përfunduar në vitin 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali. /Mimoza Ibra