Paketa e ndryshimeve ligjore qe parashikojnë ashpërsimin e dënimeve penale për ata ndërtues që abuzojnë në ndërtimin e objekteve të tyre, duke shkaktuar dhe dëme në jetën apo pasurinë e njerëzve, u prezantua ditën e djeshme nga tre ministra të kabinetit qeveritar, ajo e Drejtësisë, ministrja e Energjitikës dhe ministri i Brendshëm, të cilët shpjeguan edhe pikat kryesore.
Sipas qeverisë, mungesa e parashikimeve ligjore ka bërë që të jenë evidentuar një sërë problematikash që janë kryer nga ndërtimet pa leje. Por përmes paketës së re ligjore, synohet që të ketë kontroll dhe disiplinë të punimeve të ndërtimeve, planifikim dhe zhvillim të territorit dhe zbatimi i Kodit Penal për të ndëshkuar shkelësit dhe abuzuesit e ndërtimeve.
Por përmes zbatimit të këtyre ndryshimeve synohet që të rregullohen një sërë mekanizmash. “Përcaktimin e përgjegjësisë penale të subjekteve që janë të përfshirë në procesin e ndërtimit të objekteve, të cilët kanë vepruar në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me rregullat teknike dhe përcaktimet ligjore në fuqi; Parandalimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale ndaj veprimeve apo mosveprimeve të kundraligjshme kundër objekteve, të cilat sjellin si pasojë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të tyre, duke cënuar të drejtën e pronës, vënien në rrezik të jetës apo shëndetit të personave, e të tjerë.
Përcaktimin e përgjegjësive të zhvilluesit në rastet kur objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes duke parashikuar prishjen e punimeve kur sipërfaqja totale ndërtimore pa leje është 2%, sanksionimin e gjobës të barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje; Monitorimin dhe kontrollin të të gjithë subjekteve që janë të përfshirë në aspektet ndërtimore; Përfshirjen në “listë të zezë” të të gjithë zhvilluesve si pjesë e një veprimtarie tregtare në kundërshtim me ligjin, përjashtohen nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet”, thuhet në paketën e ndryshimeve ligjore.
Ndërkohë që ndryshimet e Kodit Penal për abuzuesit e ndërtimeve parashikon dënimet për këtë shkelje. Nëse shkelja kryhet për herë të parë, abuzuesi dënohet me gjobë deri në 5 vite burg. Ndërsa kur abuzimi ka sjellë pasoja të rënda materiale, shkelësi dënohet me 5-10 vite burg. Ndërsa kur ka pasoja të rënda shëndeti apo jetë njerëzish, abuzuesit do të dënohen me burg nga 7-15 vite.