Një ekip biologësh detarë shqiptarë janë duke skanuar ujërat e kaltra të detit Jon për të gjetur ndonjë shenjë të një prej gjitarëve detarë më të rrallë në botë. Fokat mesdhetare dikur ishin me bollëk, por tani kanë mbetur pak qindra në disa grupe të shpërndara jashtë Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe në brigjet afrikane të Atlantikut.
Ende megjithatë ka shpresë për mbijetesën e tyre pavarësisht rënies dramatike si pasojë e peshkimit dhe zhvillimit të tepërt të habitatit bregdetar. Numrat kanë nisur të këndellen ngadalë falë krijimit të zonave të mbrojtura detare në vitet e fundit, kanë thënë ekspertët.
Fokat kanë kaluar nga lista e “të rrezikuarave në mënyrë kritike” më 2015 në listën e kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në “thjesht të rrezikuara”. Megjithatë, është tejet e vështirë të gjurmohen. Përderisa dikur kanë dalë edhe nëpër plazhe, fokat tashmë janë tërhequr në zonat e izoluara detare.
Në Shqipëri, “shkencëtarët kanë gjetur një duzinë speciesh falë punës së përpiktë për t’i identifikuar shpellat dhe limanet ku fshihen këto kafshë të turpshme, veçanërisht për të kryer procesin e lindjes”, ka thënë për AFP-në, eksperti i biodiversitetit, Nexhip Hysolakoj.
Ata kanë kaluar pesë vjet në vendosjen e kamerave në shpella dhe zona të tjera të fshehta në Adriatik dhe Jon, për t’i përcjellë më mirë këto kafshë. Hysolakoj, që punon në Karaburun, rregullisht niset nga porti i Vlorës me anijen e quajtur “Foka” për t’i kontrolluar kartelat e kamerave përgjatë vijës bregdetare.
“Është sfidë e vërtetë sepse për t’i kapur fotografitë e duhura, duhet të pozicionohen drejt plazheve të brendshme të shpellave, ku fokat pushojnë”, ka thënë ai.
Për herë të fundit, fokat nga ky ekip u gjetën në janar, kur arritën t’i fotografojnë një fokë dhe të voglin e saj. Po ashtu ekipi pati fotografuar dy foka më 2020. Ka pasur edhe fotografi nga turistët. Kjo u pa si fitore e vogël. Hulumtuesit kanë përcjellë gjitarët që kryesisht qarkullojnë në parkun kombëtar detar të krijuar më 2010, përgjatë brigjeve të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit – vend ku peshkimi është i ndaluar. Po ashtu janë të ndaluara edhe varkat e mëdha.
Banorët kanë thënë se fokat dikur ishin të shumta në plazhet shqiptare edhe pse rrallë ishin monitoruar nga shkencëtarët, sidomos gjatë komunizmit. Peshkimi i tepërt ka dëmtuar edhe më shumë përpjekjet e pakta për gjetjen e fokave.
“Shkatërrimi i habitateve dhe faktorët e tjerë kanë detyruar fokat t’i ndryshojnë sjelljet biologjike”, ka thënë Aleksander Trajce nga Grupi i Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.
Kamerat dhe vizitat e rregullta janë disa nga mënyrat e pakta për ta vëzhguar shëndetin e specieve.
“Vetëm monitorimi i rregullt na lejon ta identifikojmë praninë e fokës dhe të përcaktojmë vendet që duhet mbrojtur”, kanë thënë hulumtuesit francezë Jordi Salmona dhe Philippe Gaubert nga Laboratori i Evolucionit dhe Diversitetit Biologjik në Universitetin e Toulouset.
Ujërat afër Shqipërisë janë zbrazur gjithnjë e më shumë nga peshqit me kalimin e viteve, sipas peshkatarëve.
“Foka ushqehet kryesisht me peshq, kallamar dhe butakë. Më pak peshk do të thotë më pak mundësi për ta”, ka thënë Baci Dyrmishaj, peshkatar në Vlorë.
Fokat tashmë janë kthyer në diçka që “sjellin fat”. “Nëse i shqetësoni apo i gjuani, do të keni fat të keq”, ka thënë Dyrmishaj.
https://twitter.com/AFP/status/1646060345570783233?