Ka një zgjim që fillon kur bie zilja e mëngjesit dhe një tjetër që fillon kur njeriu kupton se askush nuk do t’ia mbrojë jetën nëse ai vetë vazhdon ta dorëzojë atë në duart e partisë.
Krahasimi mes amerikanit që ngrihet herët për të punuar dhe shqiptarit që zgjohet me thirrjen “Rroftë partia!” është, para së gjithash, një krahasim mes dy marrëdhënieve me pushtetin: qytetarit që kërkon llogari dhe militantit që kërkon arsye për ta justifikuar atë.
Natyrisht, as çdo amerikan voton vetëm mbi interesin e familjes dhe as çdo shqiptar është militant. Por pyetja mbetet: kur politika hyn në shtëpinë tonë, a e gjykojmë nga ajo që i bën jetës sonë, apo fillojmë të gjykojmë jetën tonë sipas asaj që i leverdis partisë?
Sepse aty nis nënshtrimi. Kur paga nuk mjafton, por ti mbron qeverinë. Kur fëmija nuk merr arsimin që meriton, por ti mbron ministrin. Kur i riu largohet pa parë një mundësi për të ardhmen, por ti vazhdon të duartrokasësh njeriun që prej vitesh i premton të ardhmen.
Dhe, në fund, kur shtëpia të boshatiset, përsëri gjen forcë të thuash: “Të paktën fituam zgjedhjet!”
Po çfarë fitove ti?
Çfarë fitoi familja jote? Çfarë fitoi fëmija yt? Çfarë vlere ka fitorja e partisë nëse humbja vazhdon të jetojë në shtëpinë tënde?
Një kulturë qytetare e shëndetshme fillon pikërisht nga këto pyetje. Nga aftësia për ta matur pushtetin me jetën e përditshme: a blej dot më shumë me pagën time? A trajtohem me dinjitet kur kam nevojë për shërbim? A ka fëmija im mundësi të ecë përpara me zotësi? A mund të ndërtoj një të ardhme pa kërkuar ndërmjetësimin e një deputeti?
Këto janë pyetje politike në kuptimin më të plotë të fjalës. Sepse politika duhet të përgjigjet për kushtet në të cilat jetojmë.
Por besnikëria partiake e përmbys këtë marrëdhënie. Në vend që pushtetari t’i japë llogari qytetarit, qytetari ndihet i detyruar të shpjegojë dështimet e pushtetarit. Bëhet avokati i tij pa pagesë, mbrojtësi i tij në familje, zëdhënësi i tij në rrjetet sociale.
Pushtetari ndërton karrierën. Militanti konsumon jetën duke e mbrojtur.
Kjo është arsyeja pse protesta për hallet e përditshme ka kaq shumë rëndësi. Për shtrenjtimin e jetesës. Për qiranë që rëndon çdo muaj. Për punën që nuk të jep pavarësi. Për shkollën që nuk të përgatit. Për mundësitë që të mbyllen edhe kur ke bërë gjithçka që të është kërkuar.
Nuk është e vërtetë se shqiptarët nuk janë ngritur kurrë për hallet e tyre. Janë ngritur dhe kanë paguar edhe kosto. Problemi shfaqet sa herë që një hall i përbashkët filtrohet përmes pyetjes: “Kujt i shërben kjo protestë?”
Përpara se të pyesim nëse kërkesa është e drejtë, kërkojmë të dimë se cilës parti i sjell përfitim. Nëse prek kundërshtarin, e përqafojmë. Nëse vë në vështirësi partinë tonë, e përçmojmë.
Kështu, e njëjta padrejtësi na duket skandal kur e bën kundërshtari dhe e pranueshme kur e bën i yni.
Ky standard na dobëson të gjithëve. Sepse pushteti mëson se mund të na ndajë përpara se të na japë llogari.
E njëjta sëmundje bëhet edhe më e rëndë kur futet në arsim. Shkolla dhe universiteti duhet ta mësojnë të riun të pyesë, të argumentojë, të dyshojë dhe të kundërshtojë me mendjen e vet. Një pedagog e përmbush detyrën kur studenti fiton pavarësi mendimi, përfshirë pavarësinë për të mos rënë dakord me të.
Kur pedagogu përdor autoritetin akademik për të rekrutuar besnikëri politike, ai cenon vetë misionin e arsimit. Kur sindikalisti e mat padrejtësinë sipas ngjyrës së qeverisë, ai humbet besueshmërinë përballë atyre që pretendon se përfaqëson.
Titulli akademik nuk e bën militantizmin më të ndershëm. As mikrofoni i protestës nuk e shndërron automatikisht ambicien partiake në kauzë qytetare.
Por edhe studenti ka përgjegjësinë e vet. Të jesh i ri nuk do të thotë se je domosdoshmërisht i pavarur. Pavarësia provohet te mendimi dhe te sjellja: a kundërshton të njëjtën padrejtësi edhe kur e kryen partia që mbështet familja jote? A kërkon të njëjtin standard edhe nga politikani që të pëlqen?
Nëse thjesht trashëgon armiqësitë dhe besnikëritë politike të prindërve, ndryshon brezi, por vazhdon zakoni.
Shqipëria ka nevojë për të rinj që kërkojnë një vend në shoqëri përmes aftësive të tyre dhe për pedagogë që i ndihmojnë ta fitojnë atë. Ka nevojë për prindër që shqetësohen më shumë për cilësinë e shkollës sesa për fatin elektoral të kryetarit. Për punonjës që kërkojnë kushte dinjitoze edhe kur institucioni drejtohet nga “të vetët”.
Të protestosh për veten dhe njerëzit e tu nuk është egoizëm. Është pika ku përgjegjësia personale mund të bëhet solidaritet. Halli yt për shkollën është edhe halli i një prindi tjetër. Pasiguria jote në punë është edhe pasiguria e kolegut. Pamundësia e fëmijës tënd për të ndërtuar një të ardhme është një problem që prek shumë familje.
Këtu ndërtohet fuqia qytetare: kur njerëzit njohin hallin e njëri-tjetrit dhe kërkojnë bashkë zgjidhje, pa pritur urdhrin e selisë.
Prandaj zgjimi që na duhet është shumë më tepër se ngritja herët në mëngjes. Është çasti kur njeriu vendos se vota e tij duhet të prodhojë përgjegjësi. Kur kupton se mbështetja politike mund të ndryshojë dhe se askujt nuk i detyrohet besnikëri të përjetshme.
Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndryshojë për sa kohë qytetari mbron partinë edhe nga pasojat që ajo i sjell familjes së tij.
Ndryshimi fillon kur kërkojmë llogari me të njëjtën këmbëngulje me të cilën na kërkojnë votën.
Sepse fëmija yt ka vetëm një fëmijëri, jeta jote ka një kohë të kufizuar dhe asnjë fitore partie nuk t’i kthen vitet e humbura duke pritur. /Ekskluzive.al
