Gjykata e Strasburgut ka vendosur të mos shqyrtojë më dosjet e pronave të mbetura pezull prej vitesh në Shqipëri, por do t’i kthejë ato mbrapsht. Që prej vitit 2006 deri në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut u ka dhënë mundësi pronarëve shqiptarë për një kompensim të drejtë për pronën.
Por me hyrjen ne fuqi të ligjit të ri të qeverisë, në 2016-ën, i kundërshtuar nga pronarët , Gjykata e Strasburgut ka kthyer me dhjetëra dosje. Në maj 2016 kryeministri Edi Rama, deklaroi në Parlament se Shqipëria ka mbyllur marrëveshjen me GJEDNJ, kështu në ato kohë u kthyen disa dosje të pashqyrtuara, ndërsa ditën e sotme Gjykata e Strasburgut do të kthejë edhe 89 aplikime të tjera për pronat, të cilat ishin të mbyllura që në vitin 2016 dhe ishin në pritje të vendimit.
“Qeveria e Shqipërisë ka përfunduar një Marrëveshje me Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg sipas të cilës Gjykata nuk do të japë më gjykime të tjera mbi rastet pezull të pronave kundër Shqipërisë”, deklaroi Rama para 4 vitesh.
Gjykata e Strasburgut nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vendimin e kthimit të dosjeve në Shqipëri pa i vlerësuar përfundimisht ato, por duket se ka lidhje me marrëveshjen e deklaruar nga Rama. Nga ana tjetër përmendim këtu se në çështjet e shqyrtuara gjatë 10 viteve marrëveshje, nga dosjet e shqyrtuara qeveria ka humbur shumë prej tyre përballë ish-pronarëve.
Kjo gjë i ka sjellë gjithashtu dëme qeverisë për shkak se ka paguar miliona për dëmshpërblime. Duke qenë se disa prej tyre kanë gjetur zgjidhje nga GJEDNJ, ish-pronarët kanë reaguar ashpër disa herë lidhur me këtë çështje.
Sipas tyre, ky vendim për të kthyer mbrapsht dosjet e pronave e kalon çdo limit për zgjidhjen e çështjes tek skema e qeverisë dhe tek gjykatat ne vend, të cilat janë në kaos, ose jashtë funksionit.
PD akuzon GJEDNJ
Bashkë me ish-pronarët edhe Partia Demokratike e ka kundërshtuar vendimin e marrë nga kryeministri që solli sot këto pasoja. Përfaqësuesit e pronarëve dhe të PD e kanë quajtur më herët këtë një vendim politik që shmang detyrimet e Konventës nga ana e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut dhe kërcënon standardin e Konventës dhe të jurisprudencës së vetë gjykatës.
Dje u bë me dije se kreu i PD, Lulzim Basha, i dërgoi një letër Kryetarit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Guido Raimondi, ku i shprehu shqetësimin për deklaratën e kryeministrit Rama në lidhje me marrëveshjen e arritur me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështjen e pronave për Shqipërinë.
Mes akuzave dhe pakënaqësive të tjera në këtë letër Basha akuzon edhe GJEDNJ se nuk po tregohet transparente. Sipas Bashës ky institucion ka vepruar në favor të kryeministrit dhe ka injoruar problemin e vërtetë të ish-pronarëve. “Kjo është një ndërhyrje e pastër që hedh dyshime për paanshmërinë dhe pavarësinë e GJEDNJ.
Asgjë në Konventë apo në Rregulloren e Gjykatës nuk parashikon që një palë të lidhë marrëveshje me Gjykatën për mënyrën sesi do të veprohet që rastet në shqyrtim të jenë në avantazhin e saj”, thuhet në letër.
Gjithsesi pavarësisht letrës dhe kundërshtimeve të shumta të ish-pronarëve me shumë gjasa ky problem nuk do gjejë akoma zgjidhje. 4 vjet më vonë, marrëveshja është vënë në zbatim dhe për pronarët shqiptarë vendimi i Gjykatës së Strasburgut është kthimi i çështjeve të tyre në Shqipëri.