Gjykata e Apelit ka rrëzuar ankimin e numrit dy të socialistëve, Taulant Ballës lidhur me çështjen e CEZ. Menjëherë lidhur me këtë vendim ka reaguar Balla, ku shprehet se nuk do e lërë me kaq dhe do ta ankimojë sërish.
Postimi i plotë i Ballës
Dosja “CEZ” është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinosaurëve të korrupsionit. Dosja “CEZ” është shembulli i pagesave të tarifës së k.orrupsionit me plote “6.8 milionë Euro” brenda një dite të vetme në qershor 2009, 2 javë pas privatizimit OSSH, 2 javë para zgjedhjeve parlamentare të Qershorit 2009. Paratë dolën ditën me diell me thasë nga Banka Raiffeisen në qendër të Tiranës.
Siç kemi paralajmëruar, anëtarët e KÇK që nuk kanë kaluar vetting-un, të mbetuar në sistemin e drejtësisë po vijojnë të marrin vendime gjyqësore haptazi në kundërshtim me ligjjn në lidhje me dosjen “CEZ”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim me persona të tjerë, ndërsa pala e dëmtuar janë qytetarët shqiptarë.
Vendimi i paligjshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili u la sot në fuqi në Apel, do të ankimohet menjëherë.
Në kallzimin e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë ishin paraqitur fakte dhe prova të pakundërshtueshme se Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit në vitet 2005-2013 bashkë me persona të tjerë të kallzuar prej nesh, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave p.enale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal.
Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr.36 ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe dërgimin e këtij raporti në Prokurori për fillimin e çështjes penale.
Komisioni Hetimor i Kuvendit, pati arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009”Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjitikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj marrëveshje “
Çështja hetimore nr.7340/2017 e Prokurorisë, lidhet me hetimin e “ shpërdorimin e detyrës “të funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar që kanë ndjekur procedurat për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH sh.a si dhe atë të “ ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ dhe’ pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 248, 245/1 dhe 287 të Kodit Penal.
Në nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale shkronja” a “ vepra penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ parashikuar nga neni 245/1 është vepër penale në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vepra penale e ”shpërdorimit të detyrës” për të cilën Kuvendi ka depozituar kallëzimin në prokurori nga ish funksionare sipas shkronjës “ç“ të nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale është në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më datë 19.12.2019 , ka filluar funksionin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimi penal nga Kuvendi.
Në këto rrethana i kërkuam Gjykatës së Shkallës së Parë të shpallte menjëherë moskompetencën të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kalimin e kësaj çështje në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por gjyqtar Lazër Sallaku në një vendim hapatazi në kundërshtim me ligjin vendosi shqyrtimin e një çështje jashtë kompetencës së tij lëndore.
Gjithashtu dua të sqaroj opinionin publik se edhe vendimi i Prokurorisë së Tiranës për përfundimin pa hetim të plotë të kësaj dosje dhe nxitimi për mbylljen e saj ngre dyshime të mëdha.
Lënia në fuqi e vendimit nga Apeli, konfirmon frikën e të akuzuarve nga Drejtësia e re dhe nxitimi për të marrë “vërtetime” nga grupi i gjyqtarëve KÇK.