Po cilat janë mesazhet e SHBA për arrestimin e Sali Berishës, mesazhe të cilat ranë në veshin e shurdhër të Arben Krajës?
Efektet që ka prodhuar sot ‘bombardimi amerikan’ ndaj Sali Berishës, ka një shkaktar konkret: Mosveprimi i kreut të SPAK, Arben Kraja, për t’u ngritur në lartësinë e besimit që i dhanë shqiptarët dhe Perëndimi.
Arben Kraja, i cili javët e fundit i ka kërkuar Kuvendit një mandat të përjetshëm, po e humbet mundësinë për të hyrë në histori si njeriu që goditi për herë të parë majën e piramidës së krimit, korrupsionit dhe mosndëshkimit në Shqipëri.
Ashtu si Adriatik Llalla në vitin 2015, Arben Kraja, 6 vite më vonë, po refuzon mesazhet dhe sinjalet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të hapur një proces penal ndaj Sali Berishës, karriera politike e të cilit është ngritur mbi një sagē me krime njerëzore dhe ekonomike.
Mes presionit amerikan për të shembur unitetin e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri dhe presionit të Sali Berishës e Ilir Metës për ecur në gjurmët e Adriatik Llallës, Arben Kraja ka zgjedhur t’i bindet dyshes Meta-Berisha.
Pikërisht për shkak të mosveprimit të SPAK për t’i hapur të paktën një çështje penale, Sali Berisha ka nisur një revansh kundër SHBA dhe po përgatitet të marrë me dhunë selinë e PD-së.
Heshtja e SPAK përballë botës së krimeve të Sali Berishës, por edhe përballë korrupsionit të Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Edi Ramës dhe bandës së tij, konfirmon se kreu i SPAK Arben Kraja është peng i shantazhit dhe i marrëveshjeve okulte të kokave të politikës, që përfaqësojnë mosndëshkimin në Shqipëri. Më shumë se sa Sali Berisha është Arben Kraja njeriu që po sfidon dhe injoron dosjen e SHBA për shpalljen “non grata” të ish kryeministrit.
Po cilat janë mesazhet e SHBA për arrestimin e Sali Berishës, mesazhe të cilat ranë në veshin e shurdhër të Arben Krajës?
Së pari, në 19 maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij në listën e zezë për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.
Së dyti, në 8 qershor, Presidenti amerikan Joe Biden nxori një urdhër të ri ekzekutiv për bllokimin e pasurive të korrupsionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës si dhe të shtetarëve të tjerë të korruptuar.
Së treti, një ditë më pas, në 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi nga detyra si President aleatin kryesor të Sali Berishës, Ilir Metën, për cënim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së katërti, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, që nga fundi i muajit korrik deri në shtator 2021, ka kërkuar në mënyrë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga parlamenti dhe Partia Demokratike, si i korruptuar. Dhe në gjithë këtë kohë Arben Kraja ka heshtur./ Pamfleti