Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbi Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia, në seancën e djeshme ka sulmuar prokurorin e çështjen Edvin Kondili. Arbër Çekaj ka deklaruar në gjykatë se nuk do të vazhdojë çështja me prokurorin Edvin Kondili, pasi sipas tij manipulon provat.
“Kam bërë ankesë për të kërkuar largimin e prokurorit Edvin Kondili në KLP, pasi nuk mund të vazhdoj me një prokuror që manipulon provat”, tha Çekaj gjatë seancës së djeshme, e cila u shty për vitin e ardhshëm. Seanca e djeshme u shty për shkak të mungesës së avokatëve të Donaldo Lushajt. Gjykata vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet në datë 8 janar, ku do të shqyrtohet edhe kërkesa e Çekajt për ndryshimin e prokurorit. Rreth një muaj më parë, prokurori Edvin Kondili kërkoi 50 vite burg për pronarin e firmës “Arbi Garden”, menaxherin Donaldo Lushaj dhe shoferin e kamionit Armando Pezaku.
Më konkretisht Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar dënimin me 21 vite burg për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbi Garden” në kontenierët e së cilës ishin fshehur 613 kilogramë kokainë. Për menaxherin Donaldo Lushaj u kërkua shpallja e tij fajtor dhe dënimi me 16 vite burg ndërsa për shoferin Pezaku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 13 vite burg. Mësohet se të arrestuarit e 613 kg kokainë do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit për shkak se ata u gjykuan me gjykim të shkurtuar. Në këtë mënyrë nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, Çekaj dënohet me 14 vite burg, Lushaj me 10.8 vite, ndërsa shoferi Pezaku me 8.8 vite burg. Gjatë leximit të pretencës prokuroria akuzoi Çekajn si organizator të grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Sipas prokurorit Edvin Kondili, kokaina ishte ngarkuar në momentin që kontenieri ishte dërguar në një servis në Kolumbi, me pretekstin se kishte disa vida për të rregulluar. Prokuroria ka nisur një tjetër procedim me dyshimin se tre të arrestuarit nuk kanë vepruar të vetëm, por pa dhënë ndonjë emër konkret. 39-vjeçari Çekaj i mohoi akuzat e prokurorisë. Ai kërkoi pafajësi, duke u shprehur se prokuroria dhe policia urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim fshehjen e trafikantëve të vërtetë.
Hetimet
Më 20 nëntor të këtij viti organi i akuzës lexoi pretencën dhe provat e siguruara nga Prokuroria për Krime të Rënda ndaj Arbër Çekajt, menaxherit dhe shoferit të kompanisë “Arbi Garden”. Prokurori i dosjes gjatë leximit të pretencës, akuzoi se Çekaj është organizatori i grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Ai tha se droga ishte ngarkuar në momentin që kontenieri ishte dërguar në një servis në Kolumbi me pretekstin se kishte disa vida për të rregulluar. “Arbër Çekaj pretendon se kontenieri është i firmës CNIA-dhe nuk ka asnjë lidhje me të apo me firmën ku ai ka porositur bananet, e vërtetë është që pronësia e kontenierëve është e kësaj firme, por siç rezulton nga provat e administruara, “riparimi” i tij është bërë nga kompania CI, (Compania Fruitera tie Sevilla LLC), një nënkontraktues i Banacol dhe është vetë Banacol që caktoi kontenierin GESU9449548, ku ishte fshehur lënda narkotike për llogari të dërgesës që do t’i bëhej firmës së të pandehurit Arbër Çekaj.
Qartësisht provohet se riparimi për disa ditë i vetëm disa vidave, me një kosto financiare shumë të vogël është edhe momenti kur në kontenier është fshehur lënda narkotike. Gjithashtu provohet edhe lidhja direkte Bancol/CFS me të pandehurin Arbër Çekaj dhe lëndën narkotike”, thuhet në dokumentin që lexoi prokurori, dokument të cilin gazeta e disponon. Një tjetër provë që gozhdon Çekajn është edhe biseda në WhatsApp me Donaldo Lushajn në pritje të marrjes së kontenierëve, ku shfaqen të shqetësuar për kontrollin për narkotikë në Portin e Durrësit. “Edhe pse jashtë Shqipërisë i pandehuri Arbër Çekaj gjatë kohës që kontenieri mbahej ne doganën e Durrësit, mbante komunikime të shpeshta dhe ishte i shqetësuar me të pandehurin tjetër Donaldo Lushaj. Përmendim një komunikim të tyre të datës 27.02.2018, të realizuar në Whatsapp”, thotë prokuroria. /Elvis MYRTA