Avokat Spartak Ngjela duket i sigurt se ambasadorja amerikane Yuri Kim do të pastrojë Parlamentin nga të inkriminuarit. Ditën e djeshme Kim ishte në një takim në Elbasan nga ku deklaroi se disa parti nuk i kanë respektuar rekomandimet e saj për listat e 25 prillit.
Deklaratën e saj e ka analizuar në një prononcim për gazetën “SOT” avokati Spartak Ngjela. Ai tha se Kim e ka shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë se amerikanët nuk do heqin dorë nga pastrimi i listave të partive nga personat e inkriminuar dhe të korruptuar. Sipas tij, ambasadorja paralajmëron hapur partitë që nëse nuk pastrojnë listat dhe nuk zbatojnë rekomandimet e SHBA do të përballen me pasoja të tjera, sepse do të mbajnë përgjegjësi për çdo kandidat.
“Ambasadorja amerikane Yuri Kim në një mënyrë diplomatike, me referencë, është shprehur për thelbin e politikës amerikane në funksion të goditjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, por këtë herë për kërkesën e tyre: largimin nga listat elektorale të personave të inkriminuar. Ajo ka folur shumë qartë. I ka pranuar disa gjëra që janë bërë mirë, ama ka thënë që janë disa parti që nuk i kanë bërë pastrimet mirë, sikundër iu është kërkuar. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, në fund thekson se ne, d.m.th SHBA, ua kemi bërë të qartë këtë çështje.
Pra: “unë jua kam thënë në mënyrë diplomatike, por është mirë që të partitë të mbajnë përgjegjësi dhe ta zgjedhin këtë çështje sepse mund të ketë vështirësia të tjera”. E gjithë kjo na lë të kuptohet se, amerikanët nuk do ndahen nga heqja prej listave të personave të inkriminuar”, deklaroi avokati. Sipas Ngjelës, problemi i zgjedhjeve të prillit 2021 nuk është fare i thjeshtë për korrupsionin shqiptar dhe për krimin e organizuar në Shqipëri. Gjithsesi ai u shpreh i bindur se në asnjë mënyrë Amerika nuk do i lejojë Bashën dhe Ramën të ecin përpara dhe të garojnë me lista që kanë brenda kandidatë të lidhur me krimin dhe korrupsionin.
Reagon Romeo Kara
Në lidhje me deklaratën e fortë të Yuri Kim ka reaguar dje edhe juristi i njohur Romeo Kara. Për juristin emrat që ka përmendur ambasadorja si të inkriminuar dhe që nuk duhet të jenë në listat e zgjedhjeve janë vetëm disa, sepse ka edhe shumë të tjerë që nuk i kap ligji i dekriminalizimit, por që në të vërtetë janë më të korruptuarit. Sipas juristit, fakti që partitë i donin patjetër këta persona në lista bëri që të shtyjnë kaq shumë vetingun për ta dhe përderisa kandidatët nuk kanë kaluar vetingun, figurat kryesore të korrupsionit po kandidojnë sërish për deputet.
“Jo vetëm që do të votojmë sërish në 25 prill sipas Kodit pengmarrës Zgjedhor, por sërish me kandidatë për deputetë të pavetinguar. Arritja më e madhe e kësaj politike ishte shmangia e vetingut. Edhe pse ka një rifreskim 30-40% të listave për kandidatë, thelbi i forcave kryesore politike qëndron aty i pavetinguar, i pacenuar dhe i pashqetësuar. USA ka konstatuar tre kandidatë me rrezikshmëri, ndërsa realisht ata që nuk do te kalonin asnjë lloj vetingu janë me dhjetëra.
Janë ata që erdhën me duar në xhepa në politike dhe tashme po na përfaqësojnë nga të gjitha llojet e resorteve luksoze kriminale”, është shprehur Kara përmes një postimi në Facebook. Sakaq, Kara shprehet se pavarësisht nëse votojmë apo jo nuk ka rëndësi, madje edhe se kë do të votojmë nuk do të bëjë asnjë ndryshim për aq kohë sa të gjitha partitë mbajnë brenda persona të inkriminuar që nuk kanë kaluar në asnjë moment në filtra. “I njëjti Kod Zgjedhor antidemokratik dhe pengmarrës, e njëjta politikë e pavetinguar. Ku ishim: asgj?kundi, ku po shkojmë: asgj?kundi. Tashmë demagogjia mjerane, qëndron si ai llaçi i vonuar në gojën e politikës, të cilin sado ta përplasësh pas murit, nuk arrin te ngjitet pas tij”, është shprehur juristi.