Avokati Spartak Ngjela e shikon Presidentin e Republikës, Ilir Meta si armikun më të madh të Reformës në Drejtësi. Dje ai bëri një analizë të ecurisë së reformës dhe tentativat e politikanëve për ta penguar atë. Nga ky grup, Ngjela veçoi Metën si kundërshtarin më të madh të reformës në drejtësi sepse sipas tij, presidenti do të jetë i pari që do të akuzohet për korrupsion. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, ai shtoi se kreu i shtetit, bashkë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, bënë çmos për ta penguar këtë reformë, por në fund dështuan.
Sipas Ngjelës, tani Ilir Meta duhet të shkarkohet sepse ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës duke zhdekretuar 30 qershorin. “Duhet ta shprehim që në fillim se shkarkimi i Metës është mbështetur në shkeljen kushtetuese për zhdekretimin e zgjedhjeve. Këtë zhdekretim ai e ka bërë nën presionin e reformës në drejtësi, e cila pritet që ta radhisë edhe atë me të akuzuarit e rëndësishëm të korrupsionit të lartë shtetëror. Për pasojë, Meta ka qenë kundërshtari më i madh i kësaj reforme, bashkë me Berishën, Bashën dhe taborin e tyre. Dhe, na duhet ta theksojmë se, të tre këta, për faktin qe nuk e kalojnë dot akuzën për korrupsion që do t’iu vijë si korolar i reformës në drejtësi, i bënë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar atë reformë deri dhe me destabilizim të Shqipërisë. Por tani kanë dështuar”, deklaroi Spartak Ngjela. Avokati e paralajmëroi presidentin se pavarësisht se po tenton të shpëtojë nga reforma në drejtësi përmes revolucioneve të Sali Berishës, nuk do t’ia dalë dot. Sipas tij, Meta është i fundosur dhe së shpejti do të përballet me shkarkimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. “Akti i fundit i dështimit të tyre, ishte pikërisht zhdekretimi i zgjidhjeve të 30 qershorit. Kur Meta zhdekretoi datën 30 qershor të këtij viti si datë për zgjedhjen e pushtetit vendor, në një kohë kur vetë ai e kishte dekretuar në limitin kushtetues të saj, mendoi se do t’i “vinte dërmën” Shqipërisë me revolucionin Berisha. Por ndodhi e kundërta: Meta fundosi përfundimisht vetveten, dhe tani gjendet nën akuzë penale. Por, është pikërisht kjo ecuri faktike, e cila e bën tani domosdoshmëri shkarkimin e Ilir Metës si president, dhe ngritjen e akuzës penale kundër tij përpara Gjykatës Kushtetuese. E gjithë kjo që shprehëm, hapur na çon në konkluzionin se shkarkimi i Ilir Metës, me proces gjyqësor të nivelit të lartë, është preludi i aplikimit të reformës antikorrupsion në Shqipëri”, tha ai.
Ngjela: Pasuria e të korruptuarve do të konfiskohet
Avokati Spartak Ngjela u shpreh i sigurt se përmes reformës në drejtësi dhe goditjes antikorrupsion, pasuria e pushtetarëve të përfshirë në afera do të konfiskohet. Në vijim të reagimit të tij, ai deklaroi se politikanët kanë varfëruar shoqërinë shqiptare dhe janë pasuruar për vete. Sipas tij, ata kanë arritur të zotërojnë pasuri marramendëse dhe kanë nxjerrë jashtë vendit 5 mld dollarë. Por Ngjela shtoi se e gjitha kjo pasuri do t’i kthehet popullit. “Familjarët e krerëve të kësaj korporate korruptive kanë shtënë në dorë mijëra hektarë tokë bujqësore, pyje, miniera, porte; kanë privatizuar për vete ose për fisin e tyre pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar; kanë depozituar nëpër bankat e huaja dhe nëpër banka offshore rreth 5 miliardë dollarë; kanë investuar paratë e grabitura nëpër bursat perëndimore dhe kanë investuar në ndërtime në vendet perëndimore; kanë akses në vetë krimin ndërkombëtar të pastrimit të parasë dhe të trafikimit të narkotikut. Ja, kjo është tabloja e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Dhe pyetjes sonë se, a do t’ia dalë reforma shqiptare që ta konfiskojë të gjithë këtë pasuri të grabitur nga korrupsioni? Sot i përgjigjemi: po, e gjithë kjo pasuri do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shqiptarëve”, tha Spartak Ngjela./ Mimoza Ibra