Lulzim Basha ka nisur të ndryshojë strategji sa i takon përballjes me Partinë Socialiste. PD dhe PS kanë ndezur motorët e fushatës, por duket se nuk e kanë të sigurtë fitoren, kështu që kanë nisur të hartojnë plane për të fituar besimin e qytetarëve me qëllim tërheqjen e sa më shumë votave.
Historia ka treguar gjatë këtyre 30 viteve demokraci, se kur një mazhorancë është në mandatin e saj të dytë qeverisës e ka të vështirë që të marrë një të tretë dhe më e favorizuar duket opozita. Mirëpo, këtë herë gjërat kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë kanë thyer edhe hegjemoninë, pasi si opozita, ashtu edhe mazhoranca nuk e kanë të sigurtë fitoren, duke bërë që të nisin kalkulimet për zgjedhjet e ardhshme.
Partia Socialiste këmbëngul se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen pranverën e vitit tjetër, ndërsa Partia Demokratike shpreson që në vjeshtë vendi të shkojë në dy palë zgjedhje, të parakohshme dhe lokale në të njëjtën ditë. Por gazeta ka mësuar se kryedemokrati Basha ka hartuar një strategji për të maksimizuar votat përballë socialistëve.
Në opozitë kanë nisur përçarjet. Aleatët duan lista të hapura dhe ndjehen disi të zhgënjyer pasi kanë frikë se nuk marrin dot vota as për të siguruar mandatet e tyre. Mirëpo gazeta ka mësuar se Basha ka kërkuar nga kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, kreu i LZHK, Dashamir Shehi apo kreu i demokristianëve, Nard Ndoka dhe aleatët e tjerë që të “shkrijnë” partitë dhe të kalojnë me PD.
Sipas informacioneve, mësohet se shefi i selisë blu do t’iu ofrojë kryetarëve të partive opozitare emrin në listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të kenë të sigurt mandatin, sikundër ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017.
Asokohe zoti Mediu, Shehi, Ndoka dhe Dule u zgjodhën deputetë nën siglën e PD, ndërkohë që edhe partitë e tyre respektive ishin në fletën e votimit, duke bërë që qytetarët të votonin edhe për to, ndonëse kryetarët e PR, LZHK, PDK apo PBDNJ ishin futur në listët e demokratëve.
Maksimizimi i votave
Basha iu ka kërkuar krerëve të partive aleate që të njohin anëtarësinë dhe mbështetësit e tyre me këtë ofertë, ndërkohë që votat nëse do të pranohet kjo ftesë do të shkojnë vetëm për Partinë Demokratike, pasi partitë e vogla do të shkrihen brenda saj.
Në disa zgjedhje të ndodhura kohët e fundit shumica e aleatëve të PD janë bërë deputetë duke u futur në listat e demokratëve, pasi vetë asnjë prej tyre nuk e kalon dot pragun prej 3 për qind. Edhe në 2017 kështu ndodhi. Rama e Basha ranë dakord që të heqin koalicionet dhe të gjithë aleatët e Bashës u futën në listën e PD. Por duke qenë se si PR, ashtu dhe LZHK e PDK, apo dhe PR u regjistruan në zgjedhje si subjekte politike, shumë vota shkuan për to dhe dolën të pavlera pasi koalicionet nuk vlenin. Edhe tani, nëse shkohet me koalicione më shumë fiton partia e dytë e koalicionit sesa partitë e tjera të vogla apo partia e madhe.
Plani i Bashës është që ato pak vota që kanë aleatët të merren nga PD dhe kjo mund t’i shtojë 3-4 mandate deputetësh. Sipas Kodit Zgjedhor, PD e PS mund të marrin mandate deputetësh edhe me 5-6 mijë vota për emrat e fundit në listë. Dhe nëse votat e aleatëve mblidhen ato mund të prodhojnë mandate deputetësh. Mbetet të shihet se si do të shkojnë punët pasi nëse PS dhe opozita parlamentare vendosin që të heqin koalicionet, skema e bashkimit të aleatëve me PD bëhet më e fortë./ RIGELS SELIMAN