Kreu demokrat Lulzim Basha pritet t’i japë një goditje të fortë ish-kryeministrit Sali Berisha për të analizuar rezultatet e zgjedhjeve.
Gazeta ka siguruar formularin që u është shpërndarë krerëve të degëve dhe ajo që bie në sy është se përtej planit për të gjetur fajtorët e humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, Basha ka kërkuar një krahasim mes rezultateve zgjedhore kur në krye të PD ishte Berisha dhe rezultatet e korrura prej tij.
Kujtojmë se në vitin 2009 Partia Demokratike mori 610 mijë vota. Në zgjedhjet e vitit 2013, mori 528 mijë vota. Në vitin 2017 mori 456 mijë vota, si pasojë e futjes në zgjedhje vetëm brenda një muaji. PD atëherë humbi gati 200 mijë dhe 14 mandate të munguara deputetësh në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Ndërsa në zgjedhjet e këtij viti, PD mori 622 mijë vota.
Teksa shohim rezultatet vëmë re se PD me Bashën në krye ka marrë më shumë vota. Duket se kreu demokrat po e përdor ngritjen e partisë në performancë si një argument të fortë kundër Berishës. Në formular po ashtu demokratëve u kërkohet të identifikojnë të gjitha fenomenet negative të përdorura nga kundërshtari politik, personat influentë që kanë punuar kundër PD, niveli i angazhimit të tyre, format e përballjes, si dhe rezultati e performanca në raport me objektivat e vendosura dhe mundësitë.
Sa i përket analizës në nivel qarku, bashkie, seksioni dhe grupseksioni, demokratëve u është kërkuar të analizohen faktorët e brendshëm, personat influentë që kanë kontribuuar dhe gjendja e strukturës së partisë. Po ashtu formulari u kërkon drejtuesve lokalë të përcaktojnë se cila ka qenë vlera e shtuar e koalicionit për secilën zonë. Ndërkohë do të kërkohet edhe një analizë për efektin e pjesëmarrjes në votime, ku do të renditen zonat me ulje të numrit të votuesve, shkaqet dhe mundësitë, zonat me rritje të numrit të votuesve, motivimi si dhe ndikimi në rezultat.
Basha vendos në filtër edhe aleatët
Ndërkohë, Basha me anë të analizës zgjedhore ka kërkuar edhe analizën e performancës së aleatëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në formular kërkohet ndikimi i situatës politike kombëtare, ndikimi i faktorëve lokalë, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe efekti lokal, komunitetet e faktorët rajonalë si dhe funksionimi i koalicionit lidhur me aleatët e Partisë Demokratike po ashtu edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Formulari u kërkon drejtuesve lokalë të përcaktojnë se cila ka qenë vlera e shtuar e koalicionit për secilën zonë.
Kujtojmë se në përfundim të fazës së parë të analizës, Sekretariati Organizativ i Partisë do të nisë fazën e dytë të analizës gjatë periudhës 11 korrik – 31 gusht , në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, duke verifikuar dhe analizuar performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, për të nxitur rritjen e performancës.