Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet të bëjë spastrime rrënjësore në Këshill dhe Kryesinë e PD. Kur erdhi në krye të PD, Lulzim Basha nisi një reformë të thellë, duke përjashtuar dhe larguar nga partia pjesën më të madhe të themeluesve, si dhe zërave kritikë.
Kulmi i përjashtimeve ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe pas paktit të 17 majit “Rama-Basha” të 4 viteve më parë, ku në mënyrë të beftë kryedemokrati Basha la jashtë shumë figura të spikatura si ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ridvan Bode apo edhe 2 ish-nënkryetarët e PD, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.
Mirëpo, gazeta ka mësuar se Basha ka vendosur të bëjë revolucion edhe më të thellë në radhët e demokratëve, në nivel qendror, sikundër është Këshilli dhe Kryesia, për shkak se një pjesë e anëtarëve të këtyre dy organizmave dështuan të arrinin objektivat e vendosura nga kryedemokrati Basha në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Zbardhen emrat që rrezikojnë largimin
Më konkretisht, sipas një analize që gazeta u ka bërë rezultateve që Partia Demokratike korri në zgjedhjet e 25 prillit, rezulton se nga 19 drejtues politikë të PD në 12 qarqe, 15 prej tyre nuk mundën të përmbushnin objektivin e votave të përcaktuar nga kryedemokrati, rezultat që më pas u reflektua edhe në numrin e mandateve që PD mori në këto zgjedhje.
Për rrjedhojë ky rezultat i dobët pritet që të bëjë “kurban” një pjesë të drejtuesve politikë, duke humbur të drejtën për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së Partisë Demokratike. Po kush janë emrat më të rrezikuar që pritet të largohen? Kështu, një prej emrave që rrezikon të largohet dhe që është anëtar i Kryesisë së PD është deputeti i zgjedhur Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit ishte drejtues politik i PD në Qarkun e Fierit, por në 25 prill mori 64.680 vota nga 79.500 vota që ishte objektivi i vendosur nga Basha, pra minus 15 mijë vota.
Po ashtu, rrezikon të mos zgjidhet anëtar i Kryesisë edhe deputeti i zgjedhur demokrat, Tritan Shehu. Edhe z. Shehu ishte drejtues politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, por në zgjedhjet parlamentare që sapo kaluan mori 13.971 vota nga 23.500 vota që ishte objektivi, pra minus 10 mijë vota.
Ndërkohë edhe drejtuesi politik i PD në Qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti rrezikon largimin nga Kryesia, për shkak se mori 10 mijë vota më pak në 25 prill. Objektivi i vendosur nga zoti Basha në Qarkun e Beratit ishte 33.000 vota, por nën drejtimin e Alizotit u morën vetëm 23.029 vota.
Megjithatë, në Kryesi është edhe zoti Fatbardh Kadilli, kritik dhe sfidant i Bashës, por pritet të shihet se si do të veprojë lideri demokrat me të. Nga ana tjetër edhe në Këshill pritet të ketë spastrime, ku i pari që pritet të largohet është ish-presidenti Bujar Nishani.
Ky i fundit kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por duke qenë se i ka shpallur “luftë” Bashës, ai rrezikon të largohet. Po ashtu, nga Këshilli rrezikojnë largimin edhe emra si që janë shfaqur kritikë ndaj Bashës si Arben Ristani, Astrit Velaj, Halim Kosova, Lisandër Hoxha, Dritan Shano, etj.
DREJTUESI OBJEKTIVI REZULTATI
1. Xhelal Mziu 37.000 vota 29.020 vota
2. Edmond Spaho 60.455 vota 50.479 vota
3. Gazment Bardhi 60.000 vota 57.878 vota
4. Enkelejd Alibeaj 79.500 vota 64.680 vota
5. Tritan Shehu 23.500 vota 13.971 vota
6. Grida Duma 18.300 vota 14.064 vota
7. Mark Marku 37.000 vota 33.998 vota
8. Helidon Bushati 63.600 vota 47.205 vota
9. Tomorr Alizoti 33.000 vota 23.029 vota
Ja disa emra që rrezikojnë të mos jenë anëtarë të Këshillit të PD
1. Arben Ristani, kritik i Bashës
2. Astrit Veliaj, kritik i Bashës
3. Bujar Nishani, kreu i Këshillit dhe kritik i Bashës
4. Eduart Selami, pritet të largohet në SHBA me familjen
5. Florjon Mima, u la jashtë listave të PD në 25 prill
6. Genc Pollo, u la jashtë listave të PD në 25 prill
7. Gent Malko, kritik i Bashës
8. Halim Kosova, kritik i Bashës
9. Indrit Hoxha, kritik i Bashës
10. Lisandër Hoxha, kritik i Bashës
11. Roland Bejko, kritik i Bashës
12. Romeo Gurakuqi, kritik i Bashës
13. Sahit Dollapi, i dorëhequr