Ndërkombëtarët kanë marrë në dorë të gjithë procedurat që do të ndiqen për funksionimin e organeve të reja të drejtësisë. Politika ka rritur ndjeshëm presionet ditët e fundit dhe ka treguar se i trembet luftës antikorrupsion. Por ndërkombëtarët duket se janë një hap para, pasi kanë marrë masa për të mos lejuar më asnjë vonesë me SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit apo organet e tjera.
Një ditë më parë gazeta tregoi se si në Tiranë ka ardhur prokurorja kroate që arrestoi ish-kryeministrin Ivo Sanader, ndërsa janë mësuar të tjera detaje. Pranë Prokurorisë Krimeve të Rënda do të ngrihet një zyrë e posaçme për ndërkombëtarët, e cila do të kujdeset për ngritjen e SPAK dhe BKH në veçanti.
Prokurorja Tamara Laptos do të jetë pjesë e kësaj zyre dhe ajo do të ndjekë nga afër transformimin e Krimeve të Rënda. Sipas Kushtetutës, si gjykata, ashtu dhe prokuroria do shkrihen dhe në vend të tyre do ngrihen Gjykata dhe Prokuroria speciale. SPAK do të jetë te e njëjta godinë ku janë sot Krimet e Rënda dhe për këtë arsye zyra e ndërkombëtarëve është vendosur aty. Sipas ligjit për luftën ndaj korrupsionit, kjo zyrë do jetë për dy vite dhe do jenë ndërkombëtarët ata që do asistojnë në luftën ndaj korrupsionit.
Por Tamara Laptos nuk do të jetë e vetme, pasi EURALIUS ka një armatë të tjerë ekspertësh që do të punojnë me qëllim funksionimin e SPAK, por dhe të organeve të tjera si KLGJ, KLP Inspektori i Përgjithshëm, etj.
Lista
Gazeta ka siguruar listën e plotë të ekspertëve të EURALIUS V, të cilët po angazhohen në zbatimin e reformës në drejtësi. Disa prej tyre kanë vite në Tiranë, ndërsa shumë të tjerë janë emra të rinj. Ata janë ekspertë në fusha të caktuara me nga mbi 15 vite përvojë. Mes tyre është Thomas Traar nga Austria. Ai është me profesion gjyqtar. Nga viti 2006 deri në vitin 2011, ishte pjesë e Departamentit të Ligjit Ndërkombëtar të Procedurës Civile dhe Civile të Ministrisë Federale të Drejtësisë në Austri.
Pjesë e grupit është dhe një gjyqtar i EULEX. Bëhet fjalë për Rene van Veen nga Holanda. Ai ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Holandë, ndërsa më pas u emërua gjyqtar i EULEX në Kosovë. EURALIUS V përveç Koraljka Bumcit dhe Tamara Laptos, do të ketë pjesë dhe një tjetër ekspert që ka asistuar në luftën antikorrupsion në Kroaci. Bëhet fjalë për Kestutis Vaskevicius. Ai ka udhëhequr programin e BE për asistencë dhe trajnime ndaj sistemit të drejtësisë në Kroaci.
Pra duket se ngritja e organeve të drejtësisë do të udhëhiqet nga ekspertët të cilët ndihmuan në shfarosjen e korrupsionit në Kroaci.
Ekspertët e tjerë
Mes ekspertëve është dhe italiani, Gianluigi Pratola, i cili ka qenë në Shqipëri pjesë e EURALIUS III. Ai e nisi karrierën si gjyqtar në Itali më 1991. Në vitin 2013 u bë Prokuror i Përgjithshëm në Gjykatën Supreme. Ai ka qenë personi që ka udhëhequr reformën antikorrupsion në Maqedoni. Një tjetër emër është polonezi Miroslau Giembicki. Ai do asistojë në fushën e IT. Ai ka studiuar pranë Universitetit Teknologjik të Varshavës.
Ka një eksperiencë disa vjeçare me analizimin, specifikimin dhe zhvillimin e sistemeve të IT për institucionet publikë, në vende si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Turqia e Shqipëria. Ai do merret me ringritjen e sistemit elektronik në gjykata. Pjesë e grupit është dhe një shqiptar, i cili punon për llogari të Holandës. Bëhet fjalë për Idlir Peci. Ai ka mbajtur postin e zv/ministrit të Drejtësisë dhe të zv/ministrit të Mbrojtjes. Pastaj dy emrat e njohur për publikun janë Agnes Bernhard dhe Koraljka Bumci. Të dyja kanë vite që janë pjesë e EURALIUS.
Agnes Bernhard është shefja e misionit, ndërsa Bumci ka qenë gjyqtare në USKOK, njësia speciale antikorrupsion në Kroaci. Këta janë emrat e njohur dhe që do mbajnë në shina reformën në drejtësi, pasi në total EURALIUS V ka rreth 40 ekspertë. Kjo tregon se ndërkombëtarët po punojnë që reforma të zbatohet si duhet dhe të mos ketë asnjë devijim. /Kliti Topalli