Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvillon sot konsultimet me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe grupeve parlamentare për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore, që do të mbahen në vitin 2027.
Procesi i konsultimeve vjen në kuadër të procedurës për caktimin e datës së zgjedhjeve, të cilat pritet të zhvillohen në periudhën 15 prill–15 maj 2027. Pas takimeve me përfaqësuesit e forcave politike, kreu i shtetit pritet të shpallë datën zyrtare të zgjedhjeve brenda 9 nëntorit.
Partia Socialiste ka konfirmuar më herët pjesëmarrjen në konsultimet e thirrura nga Presidenti. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se konsultimi me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve është një procedurë e ndjekur nga çdo President i Republikës. Ai kritikoi gjithashtu vendimin e Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në këtë proces, duke nënvizuar se zgjedhjet vendore pritet të mbahen mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit 2027.
Në krahun tjetër, Partia Demokratike ka refuzuar ftesën e Presidentit Begaj. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar procesin si një “teatër politik”, duke pretenduar se data e zgjedhjeve është vendosur paraprakisht nga kryeministri Edi Rama dhe se konsultimet nuk kanë vlerë reale politike. Në reagimin e tij, Bardhi u shpreh se ftesa e Presidentit është “tërësisht e shpërfillshme”, ndërsa akuzoi kreun e shtetit se nuk po ushtron rolin e tij kushtetues, por, sipas tij, po i shërben pushtetit.
