Pasditen e sotme ish-kryeministri Berisha ka denoncuar përmes një mesazhi se kandidati i PS për Dibrën, Dionis Imeraj ka përplasur rëndë me makinë një 64 vjeçar.
Sipas denoncimit të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha, dje rreth orës 20:30 Imeraj ka aksidentuar inxhinierin Sefer Manreka, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës ku po merr ndihmë mjekësore pasi ka thyer këmbën dhe ka disa fraktura në pjesë të tjera të trupit.
Mirëpo, në një reagim të pak minutave më parë, Imeraj i përgjigjet Berishës, duke thënë se denoncimi ishte një sajesë e ish-kryeministrit.
‘Sapo lexova një status të Sali Berishës. E gjitha, një gënjeshtër e shëmtuar, e trilluar kryekëput! Ndjehem veçse i keqardhur, për sajesa të tilla të turpshme, që nuk i kanë hije askujt e aq më tepër një burri malësie’, shkruan kandidati i PS Dionis Imeraj.