Sali Berisha ka shtuar presionet ndaj kreut të PD, Lulzim Basha sa i takon aksionit opozitar të shtatorit. Prej disa ditësh gazeta e ka thënë hapur se Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta në mënyrë të tërthortë kanë kërkuar që në shtator ta çojnë vendin drejt mosbindjes civile. Deri para pak kohësh ata kanë përdorur mediat dhe portalet pranë tyre për ta thënë një gjë të tillë por dje ka pasur një reagim të hapur nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon aksionit opozitar.
Përmes një postimi të shkurtër në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, Berisha duke u ndalur tek protestat që po zhvillohen në Rumani nga ana e emigrantëve rumunë, bëri thirrje për revolucion të fuqishëm në shtator. Ish-kryeministri Sali Berisha teksa u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihen në protesta, u shpreh se shtatori do të jetë muaji më i madh i historisë tonë.
Sipas Berishës, në shtator të gjithë qytetarët duhet të ngrihen për të përmbysur narkoshtetin dhe regjimin kleptokratik në Shqipëri. “Gushti rumun dhe shtatori shqiptar! Të dashur miq, prej disa ditësh qytetarët rumunë janë ngritur në një revolucion të fuqishëm popullor në Bukuresht dhe mbarë Rumaninë, për përmbysjen e regjimit kleptokratik të majtë. Duke shprehur admirimin dhe solidaritetin tim më të madh për qytetarët rumunë dhe revolucionin e tyre, ftoj qytetarët shqiptarë të ngrihemi dhe ne, në një revolucion mbarë popullor, për të përmbysur narkoshtetin dhe regjimin kleptokratik në Shqipëri.
Le të shndërrojmë në shtatorin që vjen, në shtatorin më të madh të historisë tonë. Fitore! Sb”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha. Por krahas thirrjes ndaj qytetarëve, ajo çka bie në sy është se ky postim i Berishës ka shërbyer dhe si një presion i hapur ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, i cili sa i takon aksionit opozitar të shtatorit është rreshtuar për protesta të qeta dhe jo të dhunshme. Nga ana tjetër Berisha ka konfirmuar se është krah LSI për të nisur revoltat.
Dy grupe në PD
Aksioni opozitar i shtatorit duket se e ka ndarë kampin blu në dy grupe. Prej kohësh brenda Partisë Demokratike, deputetët janë ndarë në dy grupe sa i takon aksionit kundër qeverisë. Në një krah është rreshtuar Berisha së bashku me një grup deputetësh, mes të cilëve Flamur Noka, Ervin Salianji, Endri Hasa, etj., të cilët kanë kërkuar protesta të dhunshme për të rrëzuar qeverinë. Por në këtë grup është bashkuar dje edhe kreu i grupit parlamentar Edmond Spaho, i cili i është bashkuar thirrjes së Berishës për destabilitet të vendit. Ndërsa në krahun tjetër është rreshtuar grupi i Bashës, i cili është më i rezervuar sa i takon protestave.
Ky grup është kundër protestave të dhunshme dhe kërkon që çdo veprim kundër qeverisë të bëhet brenda normave etike të ligjit pa shkaktuar kaos. Por teksa Basha është kundër protestave të dhunshme, në krah të grupit Berisha është rreshtuar dhe partia e Kryemadhit. Kryemadhi së bashku me Berishën prej kohësh i kanë kërkuar kreut demokrat që të ashpërsojë veprimet kundër qeverisë. Por nëse Basha nuk merr veprime të ashpra, atëherë Berisha së bashku me grupin e deputetëve rebel po synon që të dalë kundër tij dhe të tentojë destabilizimin e vendit. Ndërkohë, nga ana tjetër, një gjë të tillë e ka pohuar edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili para pak ditësh deklaroi se në shtator opozita do të marrë një aksion ballor kundër qeverisë. Por krahas kësaj, opozita po tregon qartë se fokusi i saj në aksionin politik të shtatorit është që të ndalojë zbatimin e reformës në drejtësi./ Endri ARIZI