Deputeti demokrat Dashnor Sula konfirmoi se nëse drejtësia do t’i njohë drejtimin legjitim të partisë ish-kryeministrit Sali Berisha, ai do ta mbështesë.
Në studion e “Report TV”, ai njoftoi se do të thërrasë të gjithë kolegët demokratë për të shkuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës me qëllim zgjidhjen përfundimtare të betejës ligjores mes dy “PD” për legjitimitetin e lidershipit.
Sipas Sulës, kryeministri Edi Rama ka bllokuar trupën gjykuese në Gjykatën e Apelit për të dhënë vendimin për fatin e PD. “Bashkimi i PD-së do të thotë me bazë reale, por nuk mund të kërkohet tek PD një gjë e tillë. Kam bindjen se vendimin e gjykatë së Apelit po e mban peng Edi Rama.
Si ka mundësi që nga 24 marsi, që i bie, që mos të shqyrtohet një çështje?! Pikënisja është Gjykata e Apelit. Duhet të shkojmë para dyerve të gjykatës së Apelit, t’i japim fund kësaj sage që rri e zgjatet sa më shumë agonia.
Unë do i kërkoj grupit parlamentar të PD-së që javën tjetër të shkojmë pranë zyrave të gjykatës së Apelit që të marrë në shqyrtim këtë çështje dhe të marrë zgjidhje. Nëse do jetë vendimi i Gjykatës tek Berisha, tek Komisioni i Rithemelimit, aty jam”, tha Sula.