6 fitore nga 6 ndeshje. Thomas Reis ka një bilanc në perfeksion te Trabzonspor, duke vendosur “diktatin” që në start. Performanca bindëse, gola, spektakël, por mbi të gjitha pikë që janë konvertuar dhe në përmirësim të pozitave në renditje, vendi i 3-të në klasifikim, vetëm 3 pikë më parë se kreu që mbahet nga Galatasaray që mposhti në anën tjetër Fenerbahcen, 2-1.
Ndeshja e fundit që rezultoi një “çmenduri” e vërtetë sa i takon golave të shënuar, përfundoi në favorin e klubit nga Trabzoni, 3-4. Meritë të veçantë pati edhe Ernest Muçi i cili vendosi emrin e tij në 3 nga 4 golat e shënuar. Tre asiste nga shqiptari që u gjend në hapësirat ideale për të shfrytëzuar dhe korridoret për të shërbyer tek shokët e skuadrës. Kombinime perfekte që sollën edhe 3 pikët e çmuara.
Nga ky bilanc i Reis te Trabzonspori, Ernest Muçi mund të konsiderohet edhe “dopamina” e trajnerit, pasi me yllin e Kombëtares, ka marrë maksimumin në çdo takim që ka rezultuar me fitore. Ecuria nisi me Galatasaray-n ku skuadra fitoi 4-0. Edhe pse nuk shënoi apo asistoi, ishte një forcë e pashtershme në sulm, duke bërë presion të jashtëzakonshëm. Edhe pse mori të verdhë në këtë takim, bëri një punë shumë të mirë në hapjen e hapësirave për shënimin e golave.
Në sfidën me Samsunspor, Muçi shënon gol, i cili “vulosi” fitoren 0-3 në transfertë. Dukshëm një performancë niveli. Në ndeshjen tjetër jep asist në fitoren 2-4 përballë KuPS, Conference League. Përballë Besiktasit në kampionat krijon volum të madh loje, por zëvendësohet në pjesën e dytë. E njëjta gjë ndodhi edhe përballë Hearts në Ligën e Konferencës.
“Bumi”-n e madh, Ernest Muçi e shkaktoi pikërisht ndaj Caykur Rizespor, 3-4. “Gatuan” 3 gola dhe shpallet lojtari i ndeshjes. Statistika, këto, në mënyrë të përmbledhur që tregojnë saktësisht se çfarë lojtari po kthehet shqiptari nën drejtimin e Thomas Reis, që deri më tani ka marrë më të mirën nga sulmuesi i Kombëtares.
