Kanë kaluar 21 vite nga “grushti i shtetit” që ndodhi më 14 shtator 1998. Kjo ditë u cilësua si grusht shteti pasi daton si një nga ditët më të dhunshme të historisë së Shqipërisë pas rënies së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Në këtë datë një masë protestuesish të dhunshëm, kryesisht të Partisë Demokratike, me në krye Sali Berishën vërshuan rrugëve të kryeqytetit dhe dhunuan kryeministrinë edhe RTSH.
Ngjarja ndodhi fill pas vrasjes së liderit të protestave studentore të dhjetorit 1990, Azem Hajdarit dhe PD tentoi që me anë të këtij “grushti shteti” të rrëzonte qeverinë e asaj kohe, me në krye Fatos Nanon. Gazeta ka siguruar një raport të bërë nga britaniku, Dr M.A. Smith lidhje me këtë datë. Studiuesi është përqendruar në periudhën një vjeçare që përfshin 1997-1998. “Qëndrimi i PD ndaj qeverisë së drejtuar nga PS është një faktor kryesor që ndikon në stabilitetin politik në Shqipëri. Që nga qershori 1997, PD nuk ka qenë në gjendje të pajtohet me humbjen e saj elektorale dhe është jashtëzakonisht e hidhur për humbjen e pushtetit të saj. Ajo ka refuzuar të zërë vendet e saj në Parlament, dhe ka injoruar thirrjet e organizatave ndërkombëtare për të rishqyrtuar qëndrimin e saj”, shkruan Smith për PD në opozitë.
PD kërkonte pushtetin me çdo formë
Sipas tij, ekzistojnë disa indikacione se elementë në PD, referuar atyre viteve, mund të jenë të gatshëm të përdorin metodat e luftës jashtë parlamentare në përpjekje për të rifituar pushtetin. “Në gusht 1998 PD u raportua të thoshte se do të përdorë metoda të opozitës përveç atyre demokratike kundër qeverisë. Deputeti i PD-së Azem Hajdari, u citua të thoshte se thirrja “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri” është gjithashtu e rëndësishme sot “, shkruan ai. Më tej ai kujton se si Sali Berisha deklaroi se nëse kërkesat e tyre nuk përmbusheshin deri më 31 gusht, përveç protestave paqësore dhe mjeteve demokratike, ata do t’i përgjigjeshin qeverisë me të gjitha format dhe shton se në shtator Azem Hajdari u qëllua për vdekje në Tiranë. Smith bën një pasqyrim se si e ka parë ai grushtin e shtetit të 1998, ku përshkruan se si kanë rrjedhur ngjarjet. “Vrasja e tij çoi në një sulm në ndërtesën e kabinetit të ministrave në Tiranë nga një turmë që protestonte për vrasjen e Hajdarit. Ata më vonë rrëmbyen pesë tanke dhe sulmuan stacionin televiziv. Këta protestues besohej se ishin mbështetës të PD. Berisha bëri thirrje për më shumë protesta antiqeveritare, dhe qëndrimi i tij ndaj qeverisë Nano krijoi përshtypjen se PD do të përdorte forcën aty ku është e mundur për të dobësuar kontrollin e pushtetit të udhëhequr nga PS”, shkruan britaniku për 14 shatorin e 1998. Më tej britaniku Smith vijon të rrëfejë se si PS i ka vlerësuar ngjarjet e shtatorit 1998 si një përpjekje për grusht shteti nga PD. Që nga zëvendësimi i Nanos nga Majko, shton Smith, sinjale të përziera kanë ardhur nga PD për gatishmërinë e saj për të zhvilluar një dialog me qeverinë e re. “Berisha dhe Majko u takuan në fund të dhjetorit 1998, dhe të dy dhanë vlerësime pozitive të takimit. Sidoqoftë, PD nuk pranon të zërë vendet e saj në Parlament, megjithëse partitë e tjera të së djathtës qendrore e kanë bërë një gjë të tillë. PD gjithashtu refuzon të njohë Kushtetutën e re të miratuar në referendumin e nëntorit 1998”, ka shkruar britaniku. /Arbjona ÇIBUKU