Ish deputeti i Partisë Demokratike, i njohur gjerësisht për biznesin e call center-ave, Agron Shehaj, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, i dha një këshillë për ekonominë, kryeministrit Edi Rama. Ai deklaroi se qeveria mund të shtypë para, pra shkurt, Edi Rama të fillojë të printojë lek.
Ky propozim i Shehajt, bëri që të ndërhyjë menjëherë, me një pamje ankthi dhe tmerri në fytyrë, Blendi Fevziu, i cili me njohuritë e tij ekonomike, kuptoi se, nëse Edi Rama fillon të printojë para, inflacioni do të shkojë në qiell. Aq më tepër që, ne e dimë mjaft mirë, që Edi Rama po e filloi një punë, e merr me shumë pasion dhe mund të printojë tonelata të tëra kartmonedhash.
Pra, fjala vjen, nga ky propozim i idiotit të pafajshëm me Skype Agron, në një mbrëmje tek Fevziu, ne mund të përfundojmë që, kastraveci, një produkt mjaft i shitur në Shqipëri, pas printimit të parave nga ana e Edi Ramës, të kapërcejë çdo parashikim dhe të kapë vlera marramendëse në treg, sa të duhet një rrogë e plotë call center-i, për të blerë një kile kastraveca.
“Të shtypim para, të na fusë në një inflacion që mos dalim dot pastaj, kjo pffff…”, tha Fevziu aty për aty, kur e dëgjoi këtë propozim.
Nuk dihet nëse kjo ide e Shehajt, është një propozim zyrtar i Partisë Demokratike, apo thjesht një mendim origjinal i tij, duke qenë se eksponentë të tjerë të PD-së, nuk e kanë përmendur ndonjëherë dhe janë fokusuar kryesisht tek anullimi i koncesioneve si kërkesën parësore për qeverinë.