Charles McGonigal, një emër që për shumë shqiptarë nuk do të thotë asgjë, ka eklipsuar politikën e Tiranës këto javë dhe po bëhet shkak për nisjen e një revolucioni (të paktën kështu pretendohet, pasi në këto vite janë premtuar shumë revolucione, por nuk i kanë shkuar asnjërit deri në fund).
Ish-zyrtari i FBI-së, sipas Berishës, është paguar nga Edi Rama kundër opozitës dhe atij vetë personalishtt, në mënyrë që të shpallet non grata nga SHBA.
Deri më tani, të vetmen provë që Berisha dhe mediat pranë tij paraqesin, është fakti se Rama përmendet disa herë në dosje si mik i McGonigal, se është takuar disa herë me të dhe se një nga personat që ka pasur lidhje me McGonigal, ka qenë këshilltar i Ramës, por ndërkohë ka qenë edhe zv.ministër i Metës, përveçse kushëri i parë i tij.
E vërteta në gjithë këtë histori, në fakt nuk i afrohet fare asaj që po përpiqet të tregojë opozita, ajo e Berisha-Metës, pasi e vetmja “viktimë” në gjithë këtë histori, në fakt duket se është Lulzim Basha, për atë muhabetin e 500 mijë dollarëve që pagoi për lobim në SHBA, përmes një kompanie me lidhje ruse (para që ende sot e kësaj dite nuk iu dihet burimi, dhe që nëqoftë se Rama ka kërkuar vërtet hetimin e Bashës, ka bërë një gjë të drejtë, jo krim, siç po përpiqen ta paraqesin).
Vetëm se as Berishës dhe as Metës, nuk iu intereson të thonë që Rama ka lobuar kundër Bashës, pasi kështu jo vetëm që ai do të shfaqej si viktimë dhe do të faktorizohej politikisht, por as nuk do t’i shërbente kauzës së tyre, duke qenë se Basha është shpallur si armiku besëprerë, ndaj dhe e kanë zëvendësuar emrin e tij me atë të Berishës, madje dhe kur shkruhet qartë në mediat ndërkombëtare, duke fshirë pjesët ku përmendet Basha dhe duke shtuar vetë emrin e Berishës.
Por meqë duan të nisin një revolucion, me pretendimin se po kërkohet të zhduket opozita, duhet të kthehemi pak pas në histori dhe të kujtojmë se njeriu që qendron në krye të këtij revolucioni, është ai që e ka bërë haptazi këtë gjë. Madje duke paguar shuma të mëdha, për një lëvizje shumë më të ndyrë se kjo që akuzohet Rama, se ka paguar të hetohet kundërshtari i tij.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, në një prej momenteve më të vështira të socialistëve, Sali Berisha u investua për të shkatërruar Partinë Socialiste me një lëvizje brenda kësaj të fundit.
Lëëvizja drejtohej nga Ben Blushi, ndërsa pjesë e saj ishin edhe Kastriot Islami, Marko Bello, Arben Malaj dhe Andis Harasani.
Kjo lëvizje u quajt LMN – Lëvizja për Mendim Ndryshe dhe kishte për qëllim të çante nga brenda Partinë Socialiste, gjë që do të sillte coptimin e kësaj partie, për të mos e marrë më veten kurrë.
LMN u pompua fort nga mediat e Berishës në atë kohë, me në krye TV Klan, ku Ben Blushi dilte pothuajse çdo natë dhe sulmonte Ramën, se sa gabim e kishte që kërkonte hapjen e kutive të zgjedhjeve, për të cilat Edi Rama dhe PS pretendonin se ishin vjedhur, se Rama duhej të largohej etj etj.
Blushi dhe katër deputetët e tjerë që e ndiqnin nga pas, u përpoqën të krijonin një fraksion brenda PS-së, por shpejt u kuptua se ky ishte një investim i Berishës, dhe lëvizja dështoi.
Tani, njeriu që investonte haptazi në deputetë dhe media për të shkatërruar opozitën, akuzon kundërshtarin e tij se po bën të njëjtën gjë.
Është në historinë e tij në fakt, që ato që i ka bërë vetë, ia vesh edhe kundërshtarit të tij.
Vetëm se në këtë rast, të keqen nuk e ka nga Rama, por nga SHBA.
Dhe nuk ka McGonigal, Soros, Ramë, Duçkë, Nezë, apo revolucion, që ia heq damkën “non grata”, si një politikan i korruptuar familjarisht.(B.Lumani)