Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha sot se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.
Në 24 orët të fundit janë testuar 246 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Vijon pozitiviteti i ulët nën 2%, në raport me testimet ditore.
Në 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 në Berat dhe 2 në Tiranë, mes të cilave një grua shtatzanë. Ndërsa të shëruar janë 6 qytetarë.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 880 qytetarë, 78 % e të cilëve janë shëruar.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 161 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër.
Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 21 pacientë dhe vetëm 1 prej tyre është në terapi intensive.
Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11578 testime, nga të cilat, 11,048 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.
Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.