Drita Cakoni, është një vajzë 15 vjeçe e cila nuk gjendet, që pas tërmetit 6.4 ballë që goditi vendin. Daja i saj ka bërë apel për ndihmë. Ai i ka kërkuar informacion institucioneve, pasi nën rrënoja nuk e ka gjetur mbesën, në morg jo, por as në spital.
Me pasaportën e mbesës në dorë, daja kërkoi ndihmë. “Ku është mbesa ime? Nuk e gjej askund. Kam pasaportën e saj. Pasaportën e gjeta nën gërmadha. Sapo erdha nga thumana, nuk e kam gjetur. Kërkoj nga shteti të më japë një sqarim. I bie telefonit, zilja bie, por askush nuk përgjigjet. Nuk e di se çfarë të bëj. Motra është në gjendje të rëndë, djali 12 vjeç i plagosur, por ka humbur dhëndërri dhe mbesa, nuk kam marrë asnjë sqarim. Kam parë tmerr në Thumanë, njerëz të sakatur dhe të coptuar”, – u shpreh daja i Drita Cakonit mes lotëve nga Spitali i Traumës.
Drita Cakoni jetonte në Thumanë, në një prej banesave që është shembur pas tërmetit.