Ecuria e procesit të vetingut ka ndezur debatet dje në Kuvend. Komisioni për Çështjet Ligjore, shqyrtoi dje projekt-strukturat e tre institucioneve të pavarura. Teksa u ndalën tek ecuria e KPA, tensionet në mbledhje u rritën dhe pati përplasje mes mazhorancës dhe përfaqësuesve të institucionit.
Edhe pse prej kohësh po vazhdon kalimi në veting të dyshuarve nga radhët e prokurorisë, gjykatave dhe policisë, ritmet e hetimeve janë të ngadalta dhe jo të kënaqshme. Kështu në mbledhjen e djeshme Manja iu drejtua ashpër KPA duke thënë se nga mosveprimi i tyre po vonohet procesi i vetingut dhe për të kjo është e patolerueshme, sepse bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm që duhet të veprojë në ritme më të shpejta. Sipas tij, gjatë dy viteve KPA ka marrë vetëm 70 vendime, që sigurisht janë pak.
I revoltuar Manja bëri të qartë se ai vetë dhe komisioni që ai drejton nuk do të heshtin për këtë neglizhencë, përkundrazi do të vazhdojë vëzhgimin, pasi bëhet fjalë për vendosjen e drejtësisë që paguhet nga xhepat e qytetarëve. Manja i vuri në dukje institucionit se në vend që të kërkojë herë pas here rritje pagash të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të japin llogari për këtë mangësi.
“Ne do ta kalojmë këtë projektvendim, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të heshtim për punën e këtyre institucioneve. Në dy vjet kanë marrë 2.9 vendim në muaj. Nuk besoj se është mungesa e 6 apo 9 këshilltarëve që ka prodhuar këtë rendiment në punën e organeve të vetingut. Në dy vite janë 140 apelime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Janë dhënë 70 vendime, i bie gati 2.9 vendime në muaj. Unë uroj që me këtë shtesë në strukturë të rritet volumi i punës së KPA në drejtim të vendimmarrjes. Të mos harrojmë se janë lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Dhe siç kemi të drejtën për të kërkuar mbështetjen e buxhetore për punonjës, e njëjta llogaridhënie duhet të jetë edhe për detyrat që keni marrë përsipër”, tha Manja.
Kërkesë për të hetuar KPA
Por i pakënaqur nga puna e KPA u shpreh edhe ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme ai propozoi ngritjen e një grupi pune për të evidentuar problematikat e hasura gjatë kësaj periudhe. Këtë propozim të Xhafajt e pranoi kryetari i Komisionit duke vijuar qëndrimin kritik ndaj KPK-së dhe KPA-së.
Sipas tij, asnjëri nga institucionet nuk ka punuar si duhet për procesin e vetingut ndaj ai është zvarritur kaq shumë që prej fillimit të vet. Sipas Xhafës, ngritja e një komisioni hetues është e nevojshme për të zbuluar se ku çalon në të vërtetë puna. Madje, sipas tij, ky komision monitorues duhej të ishte ngritur më parë, për të mos çuar dëm dy vitet që kaluan me kaq pak vendime dhe punë nga ana e institucioneve përgjegjës.
“Unë do të sugjeroja që ju të merrnit iniciativën që me një, dy anëtarë të komisionit tonë, me stafin e Kuvendit nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm, në bashkëpunim me ekipet e këtyre strukturave të vetingut mund të bëjmë një analizë. Jemi në kohë dhe mendoj se jemi të vonuar”, tha Xhafaj. Propozimin e këtij të fundit e mbështeti edhe kreu i komisionit zoti Manja. Sipas tij, i gjithë problemi qëndron tek korrektësia ndaj punë dhe përgjegjësisë e punonjësve të institucionit.
Deri më tani, sipas Manjës, ata nuk kanë ndjekur rregullat dhe afatet kohore të përcaktuar në ligj për shqyrtimin e çështjeve. “Vazhdoj ta përsëris, është çështje vullneti dhe çështje impenjimi. Kur ka vullnet dhe impenjim për ta përfunduar këtë proces brenda afateve, që janë përcaktuar në ligjin për rivlerësimin kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët natyrisht dhe procesi ecën mbarë”, u shpreh Manja.