Plani i presidentit dhe opozitës për të bllokuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të rrëzohet. Mazhoranca hapi listat dhe hoqi koalicionet, gjë që solli një luftë të fortë me presidentin.
Ky i fundit e ktheu për rishqyrtim Kodin Zgjedhor dhe përdori një taktikë për të bllokuar rrëzimin e dekretit, duke kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
Por kjo lëvizje duket se do të hasë mjaft vështirësi, pasi Venecia do kohë të vendosë. Nëse hyjmë më faqen zyrtare të Komisionit, seanca plenare e radhës do të jetë më 9 dhjetor të këtij viti. Pra Venecias i duhen gati 2 muaj të vendosë mbi parashikimet në Kod.
Mirëpo nëse hyjmë te rekomandimet e OSBE, Kodi nuk mund të ndryshojë 6 muaj para zgjedhjeve. Shqipëria më 25 prill voton. Venecia vendos më 9 dhjetor, por derisa drafti të vijë do disa javë. Kjo do të thotë se ai vetëm në janar mund të nisë të shqyrtohet dhe miratohet në shkurt.
Çfarëdo që të thotë Venecia, në shkurt nuk mund të bëhen ndryshime në Kod, pasi jemi 2 muaj para zgjedhjeve dhe KQZ e ka mbyllur punën më të madhe. Elementi tjetër është se Venecia flet gjithmonë me dy standarde dhe secila palë po të dojë e gjen veten aty. Pra sido që të jetë raporti secila palë do ta interpretojë sipas qejfit. Po ashtu nuk ka asnjë element që e ndalon mazhorancën që të mos rrëzojë dekretin dhe të presë Venecian.
Gazeta kontaktoi dje me disa deputetë të Komisionit të Ligjeve dhe ata u shprehën se sapo t’u vijë dekreti do të nisin shqyrtimin, por janë udhëzuar që ta rrëzojnë sa më shpejt pasi ndryshimet duhet të hyjnë në fuqi në mënyrë që të nisë përgatitja e zgjedhjeve. Pra sinjalet janë të qarta se mazhoranca nuk do e zbatojë strategjinë e presidentit, i cili do të kërkojë që të pritet Venecia të japë mendimin e saj.
Lëvizjet e presidentit dhe opozitës
Nëse shihen reagimet publike, ai që është më i shqetësuari është presidenti. Kreu demokrat Lulzim Basha e ka anashkaluar këtë çështje duke mos i interesuar fare. Meta në çdo status e deklaratë kërkon 5 qershorin, ndërsa Basha javën që lamë pas pati konferenca shtypi çdo ditë dhe vetëm një herë e përmendi Kodin Zgjedhor.
Skema që ka përdorur PS duket se u përshtatet të dyja palëve. Reagimet e PD janë të kuptueshme pasi është në një linjë me aleatët, por faktikisht heqja e koalicioneve dhe listat pjesërisht të hapura favorizojnë PD dhe PS. Prej 2017 LSI dhe PD janë bashkuar në një front, por nuk kemi një koalicion zyrtar. Kemi vetëm një marrëveshje bashkëpunimi, por jo një koalicion ku pikat vihen mbi “i”.
Baza demokrate është shumë skeptike ndaj LSI, pasi është parti që shkon nga njëri krah në tjetrin. Edhe Basha e di këtë dhe me heqjen e koalicioneve heq nga vetja një peshë të madhe, pasi ishte i detyruar të hynte në koalicion me LSI. Me këtë ndryshim PD ka shtuar ambicien për të fituar e vetme më 25 prill. Nga ana tjetër kemi lista të hapur në pamje të parë, por që kryetari vendos sërish.
Ky ndryshim nuk i rrëzon Bashës procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve, pasi nëse do kishim lista 100 për qind të hapura, duhen njerëz me shumë vota dhe jo emra që nuk i njeh kush. Pra duket se nga Kodi Zgjedhor presidenti është më i shqetësuari dhe kjo sepse LSI mund të prekë fundin.
Asaj i kanë ikur shumë anëtarë dhe PS e ka treguar hapur se do të luftojë për ta shkrirë. Mbetet të shihet si do të rrjedhin ngjarjet, por mazhoranca duket se nuk ka kohë të presë Venecian dhe do i shkojë deri në fund draftit, pasi opinionet e Venecias janë thjesht opinione, jo detyruese.