Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është “mbytur” nga dosjet. Në fillim të këtij viti SPAK nisi detyrën dhe sipas burimeve të gazetës, janë shqyrtuar në total mbi 500 dosje, nga të cilat rreth 300 janë dosje të ardhura nga Krimet e Rënda dhe prokuroritë e rretheve dhe pjesa tjetër janë dosje të reja për shkak të padive dhe nisjes së hetimeve kryesisht.
Pra bëhet fjalë për rreth 200 dosje të freskëta që janë në duart e prokurorëve. Shumica e dosjeve kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe hetimin financiar, ndërkohë janë edhe disa dosje korrupsioni e pastrimi parash. SPAK pritet që në fund të vitit të kompletohet me 15 prokurorë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të kërkohet dhe numër shtesë për shkak të volumit të punës.
Sa u takon dosjeve të korrupsionit dominojnë ato për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu, ndërsa po ashtu në fazat e fundit janë dosjet për Llallën dhe Tahirin.
Dosjet
Dy dosje të bujshme që kanë në duar prokurorët janë ato për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sa i takon Llallës dosja u kthye për rihetim pasi avokati i tij kërkoi riverifikim për disa shpenzime të kryera në Gjermani. Afati që ka vënë gjykata është nëntori dhe SPAK duhet të jetë në fund të hetimeve për kryeprokurorin.
Sa i takon zotit Tahiri, Apeli rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe kërkoi rigjykim, ndërkohë prokuroria i tërhoqi aktet për të shtuar prova dhe dëshmi të reja. Çështja ka vajtur në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë duhet thekuar se po hetohen ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, pasi në veting dolën me shumë abuzime. Dosje të tjera që mund të përmenden janë, ajo e shembjes së teatrit, paditë e Metës ndaj Dvoranit e Gjonajt, abuzimet me tenderat gjatë pandemisë, skandali me inceneratorët dhe me koncesionet në shëndetësi, që thjesht janë akuza politike qesharake, që nuk kanë asnjë lidhje me strukturën e SPAK, ose janë shpifje inatçore pa asnjë provë.
Sipas informacioneve, SPAK ka dhe disa dosje sekrete në hetim, kryesisht për krimin e organizuar dhe po punohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Por po ashtu ka dhe hetime të fshehta për afera korruptive nga funksionarë të ndryshëm administrate.
Nëse marrim si shembuj, pak kohë më parë ranë në pranga një drejtor tatimesh dhe një pedagog për korrupsion. Për ta hetimet kanë qenë tërësisht sekrete. Mësohet se hetime të ngjashme po zhvillohen dhe për shumë emra të tjerë dhe kjo falë denoncimeve të ndryshme që kanë ardhur nga qytetarët, si fizikisht ashtu dhe përmes platformave online. Janë dhjetëra drejtorë e zyrtarë të tjerë administrate që po verifikohen për afera të dyshuara.
Roli i BKH
Me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet që situata të ndryshojë. Ky organ do të ketë 60 hetues dhe ata do të ndihmojnë si në cilësinë e hetimit, ashtu dhe në përshpejtimin e hetimeve. Me ngritjen e BKH, prokurorët do të kalojën në një status më pasiv, pasi detyra e tyre më e madhe është që të përgatisin dosjet për gjykim dhe t’i mbrojnë ato para gjykatës. Ndërkohë hetimet dhe mbledhjet e provave do të bëhen nga hetuesit e BKH, të cilët do të jenë të mirëtrajnuar nga SHBA.