Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje Bordin e Transparencës për çmimet e shportës. Sipas, Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi është bërë për shkak se akti normativ nuk plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës, më konkretisht urgjenca dhe nevoja për të bërë aktin normativ me fuqinë e ligjit.
Sipas Gjykatës Kushtetuese nuk ishte a arsyeshme që qeveria të bëjë një akt të tillë normativ, për shkak se nuk ka pasur asnjë urgjencë e as nevojë të jashtëzakonshme për t’u bërë me kaq shpejtësi. Kërkesa për shfuqizimin e Bordit e Transparencës për Monitorimin e Çmimeve të produkteve ushqimore u bë nga 29 deputetë të Partisë Demokratike, me iniciator deputetin Dashnor Sula.“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës. 2. Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Çfarë ndodhi?
Bordi i ushqimeve hyri në fuqi në 1 prill të vitit që shkoi dhe detyra ishte monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori. Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar po ashtu Gjykatës Kushtetuese edhe për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Çmimet e Karburanteve, i cili po ashtu është miratuar me një akt normativ, për të cilin ende nuk ka një vendim nga GJK.
Pritet të shikohet nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë që akti normativ, për ngritjen e Bordit të Transparencës për Çmimin e Karburanteve i ka plotësuar kriteret e kushtetuese të urgjencës dhe të nevojës, që në rastin e Bordit të Ushqimeve, konsideroi se nuk ishin plotësuar.