Protesta e 18-të përpara kryeministrisë duket se ‘u shtua’ në numra, të paktën simbolikisht. Sot, ‘pjesëmarrës’ ishin edhe flamingot simbolike, të cilat u rikthyen mes protestuesve në një paradë.
Vetëm pak minuta më vonë, me to ‘u solidarizuan’ edhe një tufë dhish nga malësia e Kelmendit, të rrethuara nga një gardh. Protestuesit i udhëhoqën përpara godinës qeveritare ku dhe po i ushqenin, ndërsa jashtë gardhit shiheshin pankarta që bënin thirrje për mbrojtjen e mjedisit.
Këtë herë, zëdhënësit e kauzës për rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama ishin pensionistët që u ankuan për trajtimin e tyre.
“Pensionistët s’marrin më shumë se 10 mijë lekë në muaj, po vuajnë për bukën e gojës.”
“Askush nuk do ta ndryshojë Shqipërinë për ne, duhet ta bëjmë ne”, ishin disa prej thirrjeve.
Por ndërsa Sali Berisha një ditë më parë u përpoq të shmangte thirrjet për burgosjen e tij, pikërisht pensionistët nuk harruan ta përmendnin.
“Sali Berisha ka bërë krime! Çfarë nuk ka bërë!”
Ndërsa më herët, aktivisti Arben Kola ironizoi demokratët që presin reformimin e partisë nga lideri i saj pensionist.
“Demokratët që kërkojnë reformim nga dikush që duhet të ishte në pension duke shijuar pensionin, Zoti pastë mëshirë dhe ju kthjelloftë!”, tha Kola.
Familja Berisha ishte edhe në vëmendjen e pankartave, ku një prej tyre i dedikohej Shkëlzen Berishës. ‘Tak-tak! Hape derën se jam SPAK’, thuhej në pankartën ku referohej lidhja e djalit të kreut të PD me Ilir Shtufin, biznesmenin e akuzuar për pastrim parash, në vilën e të cilit vetë Shkëlzen Berisha e ka pranuar se jeton me qira.





