Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka folur rreth paralajmërimit për përplasje civile në zgjedhjet e 30 qershorit. I pyetur nga gazetarët nëse ka paralajmëruar për përplasje civile, Rama u ndal te e drejta e qytetarëve për të zgjedhur dhe mos zgjedhur.
Rama tha:
“E keni gabim unë nuk kam bërë asnjë paralajmërim për opozitën në kuptimin e udhëheqësve, sepse ata nuk kanë nevojë për informacion lidhur me një bazë ligjore që e kemi miratuar bashkërisht kur ata kanë qenë në shumicë. Unë thjesht mendoj se ne kemi detyrimin të informojmë të tjerët që në padijeni të legjislacionit, në padijeni të ndëshkimeve përkundër shkeljeve të ligjit në procesin zgjedhor mund të përfundojnë aty ku s’kanë pse përfundojnë për llogari të një udhëheqësi apo një grushti drejtues që i bie kokës. Sa demokratike mund të jenë zgjedhjet e 30 qershorit?
Në një palë zgjedhje të gjithë duhet të kenë të drejtën të zgjedhin, gjithkush ka po ashtu ka të drejtën të mos zgjedhë, pra të qëndrojë në shtëpi. Ata që zgjedhin marrin një përgjegjësi individuale për të dhënë besim tek një kandidat apo një pari dhe mbi bazën e atij besimi vazhdon funksionimi normal i sistemit demokratik.”