Akti i paprecedentë i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në shkurt-mars të vitit 2019, ku dorëzuan mandatet e përfaqësimit në Kuvend, ka bërë që Këshilli Politik të ndryshojë nenin 164 të Kodit Zgjedhor, për mënyrën e plotësimit të vakancave në Parlament.
Duke parashikuar mundësinë e përsëritjes së skenarit të djegies së mandateve pas zgjedhjeve parlamentare të 2021, përfaqësuesit e PS, PD, LSI dhe opozitës së re në Këshillin Politik, kanë vendosur në draftin për reformën zgjedhore, që në rastet kur shteron lista e kandidatëve të një partie politike, vakancat e mbetura të mos plotësohen deri në përfundim të mandatit të Kuvendit.
Neni 164 të Kodit Zgjedhor parashikonte që “në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”. Drafti për ndryshimin e ligjit zgjedhor e ka hequr këtë fjali. Në draft është shkruar se “me shterimin e listës, vakancat që krijohen nuk plotësohet, deri në përfundim të mandatit të Kuvendit”.
Me këtë ndryshim PD-LSI pranojnë se Kuvendi është legjitim edhe nëse nuk ka 140 deputetë, shkruan Shqiptarja.com. PD-LSI rrëzoi në këtë mënyrë pretendimin e tyre dhe sidomos të presidentit Ilir Meta, që Kuvendi nuk është legjitim nëse nuk ka 140 deputetë. Ky ishte një nga argumentet e opozitës pro tezës që Meta si president dekoratash duhet të shpërndante Parlamentin e drejtë që nuk i’a jep asnjë nen i Kushtetutes, vetëm ajo e kushtetutes imagjinare.
Ndërkaq, drafti për reformën zgjedhor, nuk ndryshon parashikimin sipas të cilit “nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”. Mandati ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Por, Kushtetuta, në shkronjën (b) të pikës 2 të nenit 71, parashikon të drejtën e deputetit për të hequr dorë individualisht nga mandati.