Edi Rama duket se ka një “trajnim” më modern krahasuar me rivalët e tij. Fishekët, Rama, i harxhon si të jetë një “gjirokastrit” i mirë , nuk i përdor kot e në breshëri, por në shenjë dhe një nga një.
Edi Rama foli i pari, pasi Sali Berisha fajësoi Lulzim Bashën për të ashtuquajturën “Dosje ruse” të PD-së.
“Ka edhe gjëra të tjera në atë dosje”, tha Kryeministri në Parlament, që e përsëriti edhe në disa dalje publike.
Ndërkohë, Taulant Balla, ka shkuar pak më tej në akuzat e tij, të cilat i ka përsëritur më shumë se dy herë gjatë seancave të Parlamentit.
“Kemi dokumente që je në borderonë e Putinit, Sali!”, ka thënë Balla.
E duhet thënë se këtyre akuzave Berisha dhe njerëzit e tij, nuk se i janë përgjigjur në mënyrë energjike, megjithëse i kanë mohuar.
Por realisht çfarë ka në dorë mazhoranca që nuk e tregon për Sali Berishën në lidhje me rusët?
Mos tregimi i një krimi, në fakt, është një krim në vete, e padyshim është e dënushme në bazë të Kodit Penal.
Megjithatë, duket se vërtetë mazhoranca ka diçka në dorë që mund t’i djegë shumë ish-kryeministrit.
Elisa Spiropali, para pak kohësh ka deklaruar në një takim me socialistët e Malësisë së Madhe:
“Ata do të bashkohen në zgjedhje lokale, e kjo është një rrezik i konsiderushëm. Por ne do t’i dërrmojmë keqas. Kemi të dhëna shumë të forta”.
Përveç kësaj treshe në PS, pra Ramës, Ballës e Spiropalit, që natyrisht kanë folur në një komandë të dirigjuar, askush në PS nuk di më shumë për materialet që ka në dosjen ruse. Megjithatë, një zyrtar i mazhorancës, në një rang të rëndësishëm politik, bëri të ditur se dokumenti që ka në dorë kryeministri ka ardhur nga partnerët, e është shumë i fortë. Por a është një listë- pagesë, një firmë apo një letër bashkëpunimi me spiunazhin rus? Këto gjëra, nuk para dalin në publik, edhe sikur dokumentet të deklasifikohen siç ndodh në një vend Perëndimor.
Në Rusi asnjëherë nuk janë deklasifikuar të dhënat e kundërzbulimit apo influencës së jashtme të shërbimit sekret, që nga koha e famëkeqit Felix Zherzhinski të ÇEKA-s, paraardhëses së KGB-së.
Por siç mësohet, bëhet fjalë për një të dhënë që i përket, po kohës për të cilën i referohet edhe Dosja ‘Muzin’, apo ‘Binata’, që do të thotë pagesa ‘offshore’ nga adresa ruse për lobimin e PD-së në Amerikë.
E më shumë se bordero, flitet për bileta udhëtimi dhe dokumentime takimesh që nuk kanë lidhje me Moskën, por me një qytet shumë të afërt me Rusinë.
Bëhet fjalë për Beogradin, ku sipas gjasave Sali Berisha ka udhëtuar në mënyrë inkonjito, duke fluturuar nga Tirana në Paris, më pas në Beograd e anasjelltas. E pikërisht në kryeqytetin e Serbisë ka ndodhur një takim, ku ka të dhëna, madje edhe për njerëz të skeduar në Perëndim.
Po kush është njeriu misterioz që ka takuar Berisha (gjithmonë sipas mazhorancës) në kryeqytetin serb?
Ky është një mister shumë i madh, që nuk se e di kush përveç kupolës.
Fakt është se pikërisht në këtë periudhë, e ka vizituar Beogradin dhe Ballkanin Perëndimor, një nga njerëzit më të afërt të Vladimir Putinit: Nikolai Petrushev, shefi i sigurisë kombëtare të Rusisë, e deri pak kohë më parë kreu i shërbimit sekret rus për punët e jashtme.
A është kjo vetëm një rastësi?
Në vitin 2017, Mark Rossini, një ish- agjent i FBI-së për lidhjet me rusët, që punon kryesisht në Europë, sulmoi egërsisht Sali Berishën.
“Në Shqipëri po zhvillohen protesta, të thirrura nga Sali Berisha, i cili është nën ndikimin e rusëve. Ai dhe familja e tij e kanë humbur pushtetin. Nëse Sali Berisha merr pushtetin, Putin do arrijë të depërtojë në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo i hap rrugë Putinit të ketë qasje mikpritëse në portin e Adriatikut”, ka shkruar Rossini në atë kohë.
E Rossini, përveçse një analist i njohur i problemeve të sigurisë është edhe një njohës shumë mirë i këtyre çështjeve.
Po pse Rama nuk ja ka nxjerrë Sali Berishës në atë kohë, por e ka lënë për sot?
Logjikisht, sepse Rama duket se ka një “trajnim” më modern krahasuar me rivalët e tij. Fishekët, Rama, i harxhon si të jetë një “gjirokastrit” i mirë , nuk i përdor kot e në breshëri, por në shenjë dhe një nga një.
Breshëria ka avantazh se mund të shkaktojë tronditje, por në fund, rezultati nuk është i kënaqshëm.
E Rama e ka ruajtur për sot këtë “fishek”, sepse është në pozitë më të keqe se në 2017-n kur ishte i freskët dhe kishte vetëm një mandat qeverisës. Sot nuk ka justifikime për të thënë se përse vendi është në këtë gjendje, përveç atij të njohurit dakord, po ana tjetër janë “opozita e rublave”. /Pamfleti