Çfarë fshihet pas lajmit të pakonfirmuar të mediave shqiptare dhe pas irritimit të politikës së vjetër, lidhur me situatën e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla
Ka një konfuzion në lidhje me situatën aktuale të ish-kryeprokurorit të Republikës, Adriatik Llala. Një lajm i përhapur prej dy ditësh për një azil të fituar në Itali, nuk ka gjetur asnjë konfirmim në mediat italiane, ndërkohë që nuk ka pasur një dokument apo vendim për ta bërë më transparente situatën.
Megjithatë duket më shumë si një sforcim procedurial sesa një situatë reale.
Sokol Hazizaj, që është avokati shqiptar i Adriatik Llallës, i pajtuar nga Ilir Meta për ta kontrolluar në çdo hap kryeprokurorin, thjesht ka dhënë lajmin se ka një vendim të Gjykatës së Apelit të Romës, por nuk ka paraqitur asnjë fakt shkresor mbi këtë gjë.
Një avokat ka mundësinë dhe të drejtën të marrë qoftë vendimin e parë, qoftë dispozitivin, i cili del më vonë se vendimi. Njërën nga këto shkresa po ta kishte, Hazizaj do ta përdorte, pasi siç thotë italiani: ‘carta canta’ edhe më fort se fjalët e Kolit të Likes.
Prej disa ditësh, kronistët e gazetave kryesore të Romës si ‘Mesaggero’ apo ‘La Repubblica’, po merren me këtë lajm, dhe ende nuk kanë marrë vesh për këtë vendim. Madje ‘La Repubblica’ ka caktuar më të mirin e kronikës për t’u marrë me këtë çështje, të mirënjohurin Marco Carta, por ende nuk ka një zhvillim të ri.
Po si është çështja?
Adriatik Llalla është arrestuar në Itali, që prej majit të vitit të kaluar, nga policia italiane, në bazë të një kërkese të Interpolit shqiptar, duke qenë se është i dënuar. E këtu duhet shpjeguar çështja. Pas arrestimit, autoriteteve italiane i duhet të vendosin për ekstradimin, e këtu çështja duhet të shkojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Shkalla e parë, e Gjykatës së Romës e ka pranuar ekstradimin, ndërsa Apeli, e ka bllokuar përkohësisht. Ky është një vendim krejt provizor dhe aspak permanent, pavarësisht se nuk konsiderohet i drejtë.
Mësohet se Adriatik Llalla ka pajtuar një nga avokatët më të mirë roman për çështjet e ekstradimit, i cili ka gjetur justifikimet adapte, duke shfaqur një vërtetim shëndetësor sipas të cilit Llalla po trajtohet në një nga spitalet e kryeqytetit italian. E bazuar thjesht mbi këtë fakt, kemi vendimin në fjalë i cili është provizor dhe vetëm për arsye shëndetësore.
Tani ka debat nëse është e drejtë apo jo, pasi Llalla mund ta ndjekë trajtimin edhe në Shqipëri. Por fakt është se shteti shqiptar nuk po e ndjek fare këtë çshtje. Ndërsa Llalla ka një ekip elitë avokatësh të paguar në flori, Tirana zyrtare nuk ka çuar asnjë përfaqësues qoftë të avokaturës së shtetit, qoftë të policisë, që ka kërkuar ekstradimin.
Natyrisht që edhe ky vendim nuk është i mirë aspak për shtetin shqiptar e për SPAK, pasi trimëron zyrtarët e korruptuar, por media shqiptare ka për detyrë t’i shkojë lajmit deri në fund, e këtë radhë nuk i ka shkuar. Madje po kontribuon për të përhapur sa më shumë mjergull, të cilën e shumëfishon edhe politika.
Sali Berisha dje në mënyrë të hapur mbrojti Llallën, duke e cilësuar një akt për të sulmuar SPAK. Pasi sipas Berishës, do të ndodhë me të gjithë që do të ndiqen nga Prokuroria Speciale. Veçse këtu ka diçka, që duhet sqaruar. Llalla vërtetë është në Itali, por avokati që ka caktuar Ilir Meta nuk ka mundësi që të kontaktojë me të, pasi thuhet se ish-kryeprokurori është marrë nën mbrojtjen dhe kujdesin e shtetit italin, përkatësisht policisë gjyqësore. E këtu pyetja vjen spontane: Mos po pendohet Adriatik Llalla? Vetëm kështu shpjegohet gjithë ky irritim!/Pamfleti