Shtohen sinjalet se shumë shpejt mund të kemi ndryshime në qeveri. Gazeta pak ditë më parë deklaroi se pas qetësimit të ujërave Rama-Meta është hapur dhe rruga e ndryshimeve në qeveri, Ndërsa këtë herë është kryeministri Edi Rama ai i cili ka dhënë sinjale se shumë shpejt mund të kemi lëvizje në kabinet.
Rama ka pasur dy ditët e fundit takime me deputetët dhe krerët e bashkive, ku ka dhënë udhëzime për zgjedhjet e vitit që vjen. Mirëpo burime të sigurta të gazetës kanë bërë me dije se si në takimin e së martës me deputetët, ashtu dhe në takimin e djeshëm me kryebashkiakët, shefi i qeverisë e ka lënë një dritare të hapur për ndryshime në qeveri. Ai ka deklaruar se askush nuk e ka vendin e sigurt si në parti ashtu dhe në qeveri.
Rama ka deklaruar se që nga kryebashkiakët, te deputetët, krerët e degëve dhe ministrat nuk e kanë vendin e sigurt. Pra kryebashkiakët dhe deputetët që nuk punojnë si duhet nuk do të rikandidohen më, ndërsa ministrat me kontribut të ulët mund të lëvizin. Rama ka kërkuar që ministrat të angazhohen po ashtu në terren, pasi një pjesë janë dhe deputetë. Sipas burimeve, Rama i ka trembur të gjithë me deklaratën se askush nuk e ka vendin e sigurt, që nga deputetët, deri te ministrat.
Emrat që lëvizin
Gazeta ka mësuar se Asambleja e PS mund të sjellë lëvizje në qeveri, për arsyen se disa ministra do të duhet të përqendrohen te zgjedhjet. Nëse kthehemi pas, shefi i qeverisë bëri shumë ndryshime në qeveri në prag të zgjedhjeve të 2017, ku argumenti që dha ishte se emrat e larguar do të ndihmojnë PS të marrë mandatin e dytë. Edhe tani duket se do të ndiqet e njëjta skemë, me qëllim që të sigurohet mandati i tretë.
Por nga ana tjetër një pjesë do të largohen edhe për shkak të performancës jo të mirë. Një ndër emrat që rrezikon është ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Emërimi i saj u bë në atë kohë për të dhënë dhe një sinjal se Shqipëria e Kosova janë bashkë, por ka pasur shumë përplasje për arsimin. Tërmeti dhe koronavirusi e vunë në test Shahinin dhe pati shumë pakënaqësi me skemat e ndjekura prej saj, ndërsa pakënaqësi ka dhe në fakultete. Një tjetër emër është ministrja e Financave, Anila Denaj. Shteti po shkon në humnerë dhe të gjithë ekspertët po japin alarmin. Nëse shihet me kujdes, punën më të madhe po e bën ministri Arben Ahmetaj sesa Denaj, çka është një sinjal se mund të kemi lëvizje.
Drejtësia padyshim është një tjetër sektor. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë po rrezikojnë negociatat, ndërsa ministrja Etilda Gjonaj duket se nuk është përfshirë fare në këtë mes. Nëse shohim presidentin, nuk ka lënë gur pa lëvizur, ndërsa Gjonaj është distancuar tërësisht nga ecuria e reformës.
Dy emra të tjerë që janë me pikëpyetje janë padyshim Sandër Lleshaj dhe Gent Cakaj. Sa i takon këtij të fundit, ai nuk është dekretuar ende nga Meta, ndërkohë që jemi në prag negociatash dhe vendit i duhet një ekspert diplomacie. Megjithatë sipas informacioneve shefi i qeverisë është ende në dilemë për të.
Tjetër emër është Lleshaj. Rendi nuk është se ka ndryshuar këto kohë. Madje grupet kriminale janë bërë më të forta dhe droga është rikthyer. Edhe për të Rama është në mëdyshje thonë burimet. Sa i takon emrave të tjerë asnjëherë nuk i dihet. Ndryshimet e fundit në qeveri kanë qenë surprizë për të gjithë, pasi ata që ikën e morën vesh në sallë se duhet të dorëzojnë detyrat.
E sigurt është se kryeministri dje dhe pardje ja u ka bërë të qartë në sy se askush nuk e ka vendin sigurt dhe fati i gjithësecilit varet nga puna që ka bërë./Sot/ Kliti Topalli