Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dje ashpër akuzave të presidentit Ilir Meta. Kreu i shtetit akuzoi qeverinë se po bën presione para zgjedhjeve, por për kryeministrin Edi Rama qëndrimet e presidentit Meta janë një tregues i qartë se qytetarët duhet të zgjedhin mes demokracisë dhe atyre që kërkojnë që të rrëzojnë reformën në drejtësi.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale kryeministri Rama u shpreh se sa herë që presidenti Meta flet dhe bërtet me këtë sipas tij u bënë të qartë qytetarëve se midis kujt duhet të zgjedhin në zgjedhjet e 25 prillit. Ai vijoi më tej duke thënë se presidenti kërkon që të vijë në pushtet në mënyrë që të rrëzojë drejtësinë.
Rama deklaroi se votat e qytetarëve që do të shkojnë për LSI-në janë vota kundër drejtësisë, ndërsa votat për PD-në janë për presidentin Meta dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. Rama ka ironizuar edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha, për të cilin tha se thjesht ha përshesh. “Sa herë Ilir Meta del, flet, bërtet, shan, lajthit, aq herë e bën të qartë se zgjedhja e 25 prillit është një zgjedhje mes drejtësisë dhe Ilir Metës, çdo votë për LSI është një votë kundër Drejtësisë dhe çdo votë për PD është një votë për Ilirin e Saliun.
Luli thjesht ha përshesh”, tha ai. Ndërkohë, kryeministri Rama teksa ishte ditën e djeshme në Lezhë ka vijuar akuzat në drejtim të LSI dhe presidentit Ilir Meta. Ai u shpreh se LSI është problemi më i madh në vend. Sipas tij, kush zgjedh që të votojë Lëvizja Socialiste për Integrim, zgjedh që të votojë Ilir Metën dhe jo drejtësinë. “Skuadra e Monikës është problemi i madh i vendit tonë, problemi i madh i jetës sonë politike. I vetë politikës shqiptare. Këto zgjedhje mes të ardhmes dhe të shkuarës.
Mes taksës progresive dhe të sheshtë që është armiku real. Zgjedhje mes rilindjes urbane që duhet të vazhdojë dhe edhe më thellë në zonat rurale. Dhe anti-qytetarisë planifikim. Është zgjedhje mes shëndetësisë që duam dhe kështu me radhë. Troç fare, thjesht fare. Është zgjedhje mes drejtësisë së re dhe Ilir Metës. Kush zgjedh sidomos LSI-në, sidomos LSI-në zgjedh Metën dhe jo drejtësinë”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Rama akuza presidentit
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe sa u përket deklaratave të presidentit Meta se do të japë dorëheqjen pas 25 prillit nëse fiton Partia Socialiste. Rama u shpreh se ky është rasti për të çliruar vendin nga imazhi i keq që sipas tij presidenti i jep vendit ndërsa theksoi se ky i fundit ka marrë peng Presidencën dhe Kushtetutën.
Ndër të tjera, Rama deklaroi se kreu i PD Basha nuk është problem për demokracinë dhe Shqipërinë pasi sipas tij Basha është thjesht kukulla e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta. “Duke qenë se Ilir Meta është gati të japë dorëheqjen pas 25 prillit, ky është rasti për të gjithë ata që duan të çlirojnë nga barra gjithmonë e më e rëndë e imazhit që krijon ky njeri që ka marrë peng Presidencën dhe ka marrë peng Kushtetutën duke e shpërfytyruar rolin e kryetarit të shtetit.
Të bëjnë zgjedhjen. Basha s’është rrezik për demokracinë. Nuk është problemi i këtij vendi. Është kukull në duart e Saliut dhe Metës, që e kanë rrethuar me një tabor krushqish, të uritur. Një kukull që nuk argëton askënd. Përkundrazi nuk i duhet askujt. Besoj se është koha për të bërë një zgjedhje për familjen, qytetin, për fshatin, për vendin e punës”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama. /SIDORELA BRAÇJA