Kërcënimeve publike të Ilir Metës me varje, shpërndarje të Parlamentit dhe rrethim të qeverisë me bandën e LSI, Edi Rama u është përgjigjur me një lëvizje konkrete dhe shkallmuese.
Në një kohë kur pritej të përkulej para shantazhit të Metës, Edi Rama ka nxherrë një projektligj, i cili de fakto shkarkon Ilir Metën dhe emëron Gramoz Ruçin President. Ligji i heq të gjitha kompetencat Ilir Metës, duke e kthyer në një noter të zakonshëm me një vulë pa vlerë në Presidencë.
Kompetencat e Metës i kalojnë Gramoz Ruçit, qeverisë dhe ministrave. Kuvendi pritet ta miratojë ligjin me shpejtësi, duke i dhënë Ilir Metës goditjen më të rëndë ligjore.
Lëvizja e Edi Ramës po mbështetet në heshtje edhe nga Lulzim Basha. Në kampim demokrat kundër ligjit është shprehur vetëm Bujar Nishani.
Në reagimin e parë të tij, Ilir Meta e ka konsideruar ligjin si një skemar puçist të Edi Ramës. Në vijim përplasja mes Ramës dhe Metës pritet të thellohet. Sipas ligjit të ri, nëse Ilir Meta nuk dekreton kandidatin për ministër që ia paraqet Rama brenda 7 ditëve, siç ndodhi me Gent Cakajn, atëherë Rama ia paraqet propozimin Gramoz Ruçit dhe Kuvendit për miratim, duke e nxjerrë Metën jashtë loje.
Në ligj është vendosur ndalimi i Presidentit për të penguar apo vonuar emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, siç bllokoi Arta Vorpsin, duke emëruar Marsida Xhaferllarin në vend të saj. Sipas këtij ligji, nëse Ilir Meta nuk pranon betimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese brenda 10 ditëve, anëtarët betohen në Kuvend.
Rama ka vendosur të izolojë Metën edhe sa i takon faljes së të dënuarve, ku dekreti i faljes duhet të firmoset nga ministri propozues. Rama u jep fund edhe pazareve të Ilir Metës me shtetësinë, duke vendosur në ligj ndalimin e Presidentit në dhënien e pasaportave shqiptare pa propozimin e ministrit të Brendshëm.
Rama kufizon edhe kompetencën e Metës në dhënien e dekoratave. Ligji ndalon shpërndarjen e Parlamentit nga Meta për interesa politike të tij. Shpërndarja e Parlamentit bëhet vetëm kur nuk arrin të zgjedhë kryeministrin apo kryeministri rrëzohet me mocion mosbesimi. Rama i heq Metës nga duart edhe ushtrinë. Shkarkimi dhe gradimi i ushtarakëve nga Meta tashmë do të bëhet edhe me firmën e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, ndryshe vendimi i Presidentit nuk ka vlerë. Ligji i kufizon Metës të gjitha kompetencat e tjera, duke i hequr atij çdo mundësi bllokade apo përdorimi të pushtetit kundër Ramës./Pamfleti