Një aktore, që vlerësimin e gjen gjithmonë në çdo rol të saj. Elvira Diamanti, që ka spikatur në filma, një tjetër sukses ka dhe si një grua në karrierë.
Drejton Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku gjatë kësaj kohe vëmendja e saj është përqendruar në pjesëmarrjen e arkivit me disa filma dokumentarë në një prej festivaleve të Parisit, i cili titullohet “Cinema Du Reel”.
Të flasësh për punën e saj si drejtuese institucioni ka shumë për të treguar, që nga vëmendja që ka me ruajtjen e filmit, për të vijuar në prezantimin e tij në evente të ndryshme, etj.
Por drejtuese në një institucion të rëndësishëm filmi, nuk e ka bërë atë që të ketë larg vëmendjes dhe profesionin e saj të aktrimit. Në filmat që ka lozur në vite ka dhuruar personazhe të bukura, ku roli i Marigosë e ndjek pas ende.
Në këtë bisedë me aktoren, ajo flet jo vetëm për punën që ka bërë me filmin ndër vite, por shpreh dhe keqardhjen që sot në kinemanë shqiptare nuk ka role për aktore të moshës së saj. Një aktore e suksesshme, dhe në jetë një nënë e përkushtuar pas dy fëmijëve të saj. Tregon se familja mbetet gjëja më e rëndësishme në jetën e saj, dhe ndihet krenare që ka rritur dy fëmijë të mrekullueshëm..
Filmi juaj më i fundit ka qenë “Ada” më 2013, që nga ajo kohë deri më tani nuk ju kemi parë në kinema, megjithë dëshirën që ka publiku t’ju shikojë në filma. Pse keni munguar këto vite? Mendoj që pas vitit 1990 kinemaja shqiptare ndryshoi krejtësisht, duke qenë se shteti shqiptar e la jashtë vëmendjes kinemanë.
Nëse në kohën e diktaturës para ’90 ishte prioritet që të shfaqje njeriun që propagandonte shteti, dhe propaganda e kohës, tanimë ky shtet nuk është se kishte nevojë për këto. Përkundrazi në këto vite tranzicioni shumë të rëndësishme për shtetin shqiptar ndoshta gaboj, por më duket se ka pak vëmendje ndaj kulturës.
Duke qenë e tillë dhe duke pasur një fond të vogël kinemaja shqiptare natyrisht që do të prodhojë më pak filma. E duke qenë se kjo kinema më gjeti në moshë të mesme, nuk është se kam pasur shumë kërkesa, por nuk ka pasur kërkesa dhe ndaj kolegeve të mia të të njëjtës moshë, të të njëjtës gjeneratë.
Pra nuk do të thotë se është mungesë vëmendje, as mungesë dëshire. Është thjesht fakti, që nuk ka shumë role për brezin tonë. Gjithmonë e kam thënë, që kinemaja shqiptare e këtyre viteve ka pasur aktorë të rinj, të cilët edhe nuk kanë spikatur, sepse që të spikatësh mirë në kinema duhet të luash disa filma.
Pra për të dalë një aktor, ku publiku ta njohë duhet të luash disa filma, ndërkohë që këtu nuk ka vazhdimësi për faktin që ka një apo dy produksione filmi në vit. Në këto produksione për ne ka pasur shumë pak vend ose pothuajse fare, kështu që në këtë drejtim më vjen keq, sepse është një përvojë që ti do ta japësh në këtë kohë.
Dhe një rol, që do të ishte i përshtatshëm për ju në këtë kohë? Mirë është që të luaja një rol mamanë e shqetësuar ndaj problemeve të fëmijëve, sepse unë nuk mund të luaja vajzën e re që kam luajtur dikur dhe problemet e një vajze të re. Por ju pohova dhe e them me keqardhje, nuk ka kinema për të luajtur ne akoma role.
Nëse do të kishte kinema, ku problemet sociale ne i shohim përditë, natyrisht që do të kishte vend. Së fundmi kinemaja shqiptare ka pasur shumë tema, të cilat mbase jashtë Shqipërie kanë një lloj çudie, njohin një realitet shqiptar me gjakmarrjen, me prostitucionin, me probleme të kësaj natyre, ndërkohë që ne në Tiranë këto nuk i ndjejmë.
Ne e dimë që ka gjakmarrje, por duke qenë se janë disa filma rresht për gjakmarrjen nuk përbëjnë më interes për publikun shqiptar, ndaj mendoj se ka dhe një lloj distance dhe shkëputje të publikut shqiptar me kinemanë aktuale. Kjo sepse nuk prek ato tema që shqetësojnë sot shqiptarët, tema të vështira të tranzicionit, të pamundësisë për të shkolluar mirë fëmijët, etj.