Deputeti i PS-së Fidel Ylli, sot ishte i ftuar në një emision sportiv në Top Albania Radio, ku bisedohej rreth ndikimit të sportit në qeveri dhe anasjelltas. Gjatë diskutimit, deputeti Ylli riktheu vëmëndjen tek një temë e ezauruar siç është ajo e basteve sportive.
Ylli krejt papritur, u kujtua të “çoj të vdekurit nga varri”, duke i bërë thirrje Ramës të rihap qendrat e basteve sportive, pasi ato ekzistojnë në të gjithë botën, e me këtë logjikë nuk kanë pse të mungojnë tek ne.
Për tu habitur me guximin e deputetit, i cili si duket është yshtur nga dikush të flas për këtë temë, e kritikon qeverinë se nuk ka bërë mirë që i ka mbyllur, edhe pse kishte më shumë pika bastesh në një zonë, se sa banorë për lagje.
Madje Ylli, e kritikon sërish Ramën, se mbajtja mbyllur e këtyre pikave të basteve nuk i ka shërbyer askujt, as bastexhinjëve por as arkës së shtetit dhe qeverisë, e cila ka dështuar të bëj punën e saj, pasi disa pika po vazhdojnë të pashqetësuara aktivitetin e tyre dhe se paratë po ngelen në të zezë.
“Në të gjithë botën ka baste, në Angli ka baste, në Itali ka baste, u bë mirë për momentin që u mbyllën sepse ishin bërë si kërpudha, çdo tre metra një pikë.
Tani po funksionojnë “underground” (nëntokë/fshehtazi) shteti nuk merr asnjë para, janë të gjithë në të zezë.”, tha Ylli.
Madje deputeti shtoi se Rama ka ndërmend t’i kthej bastet, por se nuk e ka në plan ta bëj tani afër!
Kjo thirrje e deputetit Fidel Ylli – Top Albania Radios – Edi Rama, në faktë është në rrjedhën e poshtërsive të sajuara nga banda e lojërave të fatit dhe basteve sportive, në bashkëpunim me deputetin dhe qeverinë.
Sepse sipas burimeve konfidenciale, të siguruara nga ekskluzive.al, kryeministri Edi Rama ka vendosur të kthej më shpejt sa mendon deputeti këto pika bastesh, pasi disa individë kanë nisur të sigurojnë ambjente me qira për zhvillimin e këtyre pikave në zona të mirëpërcaktuara nga “klientët brenda qeverisë”.
Ky lajm vërtetë mund të gëzoj shumë bastexhinjë, sigurisht edhe xhepin e pushtetarëve tanë, por në të njëjtën kohë zbeh besimin e të gjithë atyre që menduan se i dhanë fund një herë e mirë mankthit të shkatërrimit ekonomik të mijëra familjeve shqiptare.
Nëse rimëkëmbja ekonomike e vendit qenka në dorën e “basteve sportive”, atëherë ata që ndërprenë këto aktivitete kanë gabuar rëndë dhe duhet të paguajnë për gabimin e tyre, pasi i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 130 milion euro në vit. Pra në dy vite, shteti shqiptar nga “Fundi i Marrëzisë” humbi 260 milion euro.
Kjo mbyllje la papunë mijëra të punësuar, ku sipas raporteve zyrtare nga Ministria e Financave, asaj kohe ishin 7280 persona që mbetën të papunë dhe mijëra familje në mëshirë të fatit.
Madje qeveria nuk ndërmori asnjë hap për këto 7280 persona që u flakën në rrugë, me pretendimin për të shpëtuar qindra mijëra të tjerë. E për të mos mjaftuar kjo, u tallën me një deklaratë të ish Ministrit Arben Ahmetaj, i cili në parlament pohoi se do kishte gati një program rikualifikimi, për gjithë këta të papunë. Asnjë program nuk u mbajt… kurrë!/Ekskluzive.al